Vijon lirimi i të “fortëve”. Një tjetër anëtar i bandës së Durrësit del nga burg

Sardian Sulejmani, një tjetër anëtar i “Bandës e Durrësit”, është liruar nga qelitë e burgut të Fierit prej tetorit 2019. Sulejmani rezulton i dënuar në korrik të vitit 2014 nga Gjykata e Lartë, me 25 vite burgim për akuzën e “Vrasjes me paramendim të mbetur në tentativë” në dy raste ndaj Lulzim Berishës ngjarje të ndodhura në gusht të 2005 dhe “Vrasjes me paramendim” të Avni Gashit ndodhur në tetor 2005 në Tiranë. Për të dyja këto krime që është dënuar Sulejmani ishte dënuar dhe Endrit Dokle, nga gjykata, pasi dy miqtë kanë bashkëpunuar në këto ngjarje kriminale.

Burime pranë Policisë së Shtetit thanë se Sulejmani prej 3 muajsh qëndron i lirë, pasi në muajin tetor 2019 gjykata e Fierit dhe më konkretisht gjyqtari Piro Sota, ka vendosur t’i pranojë kërkesën për lirimin me kusht Sulejmanit, duke i falur këtij të fundit masën e dënimit të mbetur prej 4 vjet, 10 muaj e 17 ditë burgim.

Sipas vendimit të gjykatës së Fierit thuhet se: “i dënuari Sardian Sulejmani, ka vuajtur fizikisht 13 vite, e 8 muaj e 19 ditë burgim. Nga dënimi i dhënë kishte kryer gjithsej 19 vite, 11 muaj e 3 ditë burgim. Sardian Sulejmani, në ditën e marrjes së këtij vendimi, pra në 11 tetor 2019, i mbeten për të vuajtur edhe 4 vite 10 muaj e 17 ditë burgim”.

Gjykata e Fierit ka argumentuar se kjo masë dënimi e mbetur duhet të vijojë të shlyhet në periudhë qëndrimi me kusht nga ky i dënuar. Si kusht gjykata vendos për Sardian Sulejmanin që gjatë kohës së provës të mos shoqërohet me persona të dënuar. Në argumentimin e lirimit me kusht të këtij të dënuari gjyqtari Sota thotë se: “arsyet e veçanta nuk janë gjë tjetër veçse rrethana konkrete, të cilat provojnë se me dënimin e vuajtur është arritur qëllimi për edukimin dhe i dënuari Sulejmani është i gatshëm të riintegrohet në shoqëri”.

Ndërkohë një tjetër argument që gjyqtari Sota ka nënvizuar për lirimin e këtij të dënuari është dhe fakti se nga Njësia Administrative nr.2 Bashkia Fier, është lëshuar një akt-mirësjelljeje, ku evidentohet fakti se: “familja e Barjam Sulejmanit, babai i Sardian Sulejmanit, është e përbërë nga dy anëtarë Sardiani dhe Barjami. Babai, Bajrami jeton i vetëm pasi Sardiani i biri, ka vite që ndodhet ne burg. Kjo familje është banore e lagjes Konferenca e Pezës, Njësia Administrative nr.2 Fier dhe gëzojnë respekt në komunitetin ku jetojnë. Nëna e kërkuesit ka vdekur në spitalin e Durrësit në 12 nënëtor 2016, ndërsa vëllai i ka vdekur në vitin 1999”.

Nga ana tjetër, Prokuroria e Fierit e ka apeluar vendimin dhe pritet që çështja të gjykohet në Apelin e Vlorës.

SHKARKO APP