Virusi kinez/ Mjekët: Ruani higjienën, shmangni vendet e mbipopulluara
E gjithë bota është në panik ndaj virusit të ri korona. Sëmundja po përhapet me shpejtësi po ashtu edhe frika në njerëz. Deri tani në Shqipëri nuk ka asnjë rast të dyshuar me koronavirus, por në kushtet e një emergjence ndërkombëtare, mjekët rekomandojnë masa të shtuara për parandalimin e virusit të ri. Është i ngjashëm me gripin, këshillat janë për të dy viruset. “Mbajtja e distancës me dikë që ne flasim, të paktën spërklat e atij që është duke folur apo duke u kollitur të kalojnë në aparatin tonë respirator. Sigurisht larja e duarve është shumë e rëndësishme sidomos sa herë që mund të kemi kontakte me ambiente që mund të jenë të kontaminuara. Shmangia e kontakteve me të sëmurët, qëndrimi në ambiente publike ku njerëzit rrinë për kohë të gjatë”, këshillon mjekje infeksioniste Nevila Gjermeni.
Në spitale, veçanërisht në shërbimin infektiv, stafi mjekësor, pacientët dhe të afërmit e tyre përdorin maska. Ndërsa në ambiente të tjera, në rrugë, në transport publik, mjekët thonë se në kushtet aktuale nuk është e nevojshme përdorimi i maskave mjekësore. “Shqipëria vijon të jetë një vend me një risk shumë të vogël koronavirusi. Deri tani nuk kemi asnjë rast të dyshuar me këtë infeksion. Maska nëpër rrugë them që jo”, shtoi Gjermeni.
Ndërsa gjatë fjalës së saj në Kuvend, Ministria e Shëndetësisë tregoi për masat e shtuara pas shpalljes së emergjences globale. “Kemi rishikuar planet e parapërgatitjes në situate shëndetësore jo të zakonshme, e gjithë kjo e mbështetur në rregulloren ndërkombëtare të shëndetit me qëllim dedektimin dhe ndjekjen në kohë të rasteve të dyshuara”, u shpreh ministrja Manastirliu. Për situatën e koronavirusit është ngritur grupi Task Force i cili po monitoron situatën në vend, por edhe të gjithë rastet që vijnë nga vendet e prekura përmes gjurmimit apo izolimit të tyre.