Virusi vdekjeprurës, Ministria e Shëndetësisë mbledh ”Task-Forcën”
Ministria e Shëndetësisë ka mbledhur ”Task-Forcën” e ekspertëve për të marrë masa për koronavirusin e ri që po përhapet me shpejtësi në Kinë dhe jashtë saj. Në zbatim të rekomandimeve të OBSH-së, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu prej disa ditësh ka nxjerrë një urdhër për marrjen e masave parapërgatitore, për t’u mbrojtur nga depërtimi i koronavirusit të ri, edhe pse duhet theksuar se, sipas OBSH jemi kushtet kur ende nuk ka të dhëna të qarta mbi mënyrën e transmetimit nga njeriu tek njeriu.
Sipas urdhrit të Ministrisë së Shëndetësisë, ISHP duhet të përforcojë survejancën e infeksioneve të rënda respiratore akute në bashkëpunim me të gjitha spitalet e vendit. Urdhri specifikon që ISHP të përgatisë përkufizimin e rastit, udhëzimet për survejancën, hetimin epidemiologjik dhe menaxhimin e rasteve në përputhje me Rregulloren Ndërkombëtare të Shëndetit. Sipas urdhrit të ministres Manastirliu strukturat përgjegjëse të marrin masat për vënien në zbatim të planeve të emergjencës për reagimin ndaj infeksioneve virale, sipas shkallës së rrezikshmërisë.
Numri i njerëzve të vdekur në Kinë nga koronavirusi ka shkuar në 81, me gati 3,000 raste të konfirmuara të sëmurë. Pushimi kombëtar i vitit të ri është zgjatur me tre ditë deri të dielën, në përpjekje për të penguar përhapjen. Numri i vdekjeve në provincën Hubei është ngjitur nga 56 në 76, me pesë vdekje diku tjetër. Wuhan është në bllokim dhe disa qytete të tjera kanë vendosur ndalime të udhëtimit.
Në Shanghai, qeveria ka ndaluar bizneset të kthehen në punë deri më 10 shkurt. Ndalimi vlen për të gjitha kompanitë, përveç shërbimeve, firmave mjekësore, furnitorëve mjekësorë dhe supermarketeve. Drejtori i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetit, Tedros Adhanom Ghebreyesus, është në Pekin për të diskutuar për epideminë me qeverinë kineze dhe ekspertët e shëndetit.