“Vithkuqi”, 4 në pranga për prerje të pyjeve, sekuestrohen drutë dhe mjetet që i transportonin
Policia e Korçës ka vënë në pranga katër persona për prerje të pyjeve. Ndërkohë janë sekuestruar një sasi lënde drusore pa dokumentacion përkatës dhe 4 automjete që shërbenin për t’a transportuar.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë, në kuadër e zbatim të planit të masave për parandalimin dhe goditjen e krimeve mjedisore, organizuan dhe finalizuan operacionin e koduar “Vithkuqi” si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve S. T., 23 vjeç; O. B., 40 vjeç; D. P., 30 vjeç dhe E. T., 29 vjeç, banues në fshatin Vithkuq, Korçë“.
Shtetasit e mësipërm, janë kapur nga forcat e Policisë, në afërsi të fshatit Shtyllë dhe vendit të quajtur “Qafa e Martës”, duke transportuar me 4 automjete tip fuoristrada një sasi prej 12 m sterë dru zjarri të llojit ah, pa dokumentacionin përkatës, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale së bashku me mjetet e përdorura për prerjen e druve, motorseka dhe sopata.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë për veprën penale “Prerja e paligjshme e pyjeve”.