Viti 2024 i Papës Françesku, artizan i paqes e shtegtar në botë

 

L'anno del Papa "artigiano di pace"

Nga “A” e Azisë dhe Oqeanisë, etapat e rrugëtimit më të gjatë të papnisë, deri në “Z”, zero deficit, objektiv i kërkuar nga Kuria romake me “ndjeshmëri” dhe “flijim”. Çastet më domethënëse të vitit në përfundim të Papës 88-vjeçar, janë udhëtimet jashtë vendit, vizitat në Itali dhe në famullitë e Romës, Sinodi dhe Koncistori, enciklika “Dilexit Nos” dhe hapja e Vitit Shenjt. Pa harruar edhe thirrjet, takimet, telefonatat, letrat, audiencat, reformat

R.SH. / Vatikan

Udhëtimi më i gjatë, në Azinë Juglindore dhe Oqeani (pothuajse dy javë) – më i shkurtër në Korsikë (rreth dhjetë orë). Pothuajse 200 thirrje kundër luftërave, “mizorisë” mbi fëmijët, prodhimit të armëve dhe dënimit me vdekje. Takime me autoritetet, nga Lindja e Mesme dhe Ukraina dhe me viktimat e konflikteve. Letra-thirrje për nuncët në Kiev dhe Moskë dhe për katolikët e Tokës Shenjte. Mesazhe të fuqishme në G7, në G20, në Forumin e Davos, në Cop29. Reforma të brendshme dhe ristrukturime në Vatikan a në Dioqezën e Romës. Pastaj telefonata, telegrame, video mesazhe, intervista, biografi, parathënie librash e madje, edhe një enciklikë, Dilexit Nos, për kushtimin Zemrës së Krishtit.

E përsëri: Sinodi mbi Sinodalitetin, vizitat në famullitë në periferi të Romës dhe takimet me priftërinjtë. Më në fund, Jubileu i Shpresës me hapjen e Portës Shenjte në Shën Pjetër, më 24 dhjetor, e më pas në Rebibbia, burg që u shndërrua në “Bazilikë” për një ditë. Nuk pati asnjë periudhë ngërçi, asnjë çast pauze, asnjë muaj pushimi për Papën Françesku në këtë 2024 në përfundim. Një vit pak të themi intensiv për Papën, ndërmjet situatave të paparashikuara globale, qeverisjes së Kishës universale dhe përgatitjeve për Vitin Shenjt. Të ecim mbi gjurmët e Papës, përmes fazave themelore dhe fjalëve kyçe.

A – Azia dhe Oqeania

Nga 2 deri më 13 shtator, Françesku realizoi shtegtimin më të kërkuar: një udhëtim gati dyjavor në Azinë Juglindore, me ndalesa në Indonezi, Papua Guinea e Re, Timor-Leste, Singapor. Shtegtim ndërmjet dy kontinenteve, katër zona kohore të ndryshme, 32,814 kilometra udhë me avion. Një udhëtim, “ëndërr” e dashur tashmë që në vitin 2020, para pandemisë Covid, dhe një sfidë e fituar për ata që kishin frikë nga problemet e mundshme shëndetësore. Skena të paharrueshme shënuan shtegtimin papnor: gjestet e dashurisë me imamin e madh të Xhakartës; pritja në rrugë me këngë e valle fisnore nga popullsia e Port Moresbit; mbi gjysmë milioni njerëz në Dili, përgjatë brigjeve dhe trotuareve ose të kacavarur ndër pemë; Mesha e kompozuar dhe e rregullt në mjedisin futuristik të Singaporit. Papa, i entuziazmuar, i palodhur e i gjallëruar nga takimi me këta të rinj dhe me këto kisha të gjalla, arriti të përfshijë në program edhe një ndalesë në Vanimo, në kufijtë e Papua Guinesë së Re, arritur me avion ushtarak, për të takuar misionarët argjentinas, të cilët shpallin Ungjillin nëpër pyje ndërmjet vendasve. Udhëtim i cili, pas Irakut, do të mbetet një nga kapitujt më domethënës në historinë e papnisë.

 B. Belgjika e Luksemburgu

Pas një jave e gjysmë, Papa u nis sërish me aeroplan, më 26 shtator, për të mbërritur në Luksemburg, pjesa e parë e një shtegtimi që do të zgjaste deri më 29 shtator e do të përfshinte edhe Belgjikën. Udhëtim në zemër të Evropës me shikimin e ngulur në sfidat e kontinentit: lufta (thirrja e paharrueshme për “kompromise të ndershme”, për arritjen e zgjidhjes paqësore të konflikteve), migrimi, shekullarizimi, rastet e shpërdorimit në Kishë. Kjo e fundit ishte temë e përsëritur gjatë vizitës së Papës, që nuk i kurseu paditë e forta të “turpit”, për të cilin kërkoi përvujtërisht falje dhe u takua privatisht për dy orë me 17 viktima të abuzimit në Bruksel. Më pas Françesku vizitoi dy selitë e Universitetit të lashtë të Louvain, me rastin e 600-vjetorit të themelimit të tij, ku nuk munguan protestat e lehta. Ngjarjet e shumta të paplanifikuara në Bruksel mbeten në kujtesë: vizita në një shtëpi bamirësie për të moshuarit dhe të sëmurët, lutja në varrin e mbretit Baudouin, mëngjesi në famulli me të varfërit dhe refugjatët, dalja befasuese në skenën e një ngjarje rinore me 6 mijë djem e vajza, që e kaluan natën nën qiellin e hapur, duke pritur meshën papnore të nesërmen.

C – Corsica (Korsika)

Në shtator udhëtimi më i gjatë, në dhjetor më i shkurtër: për më pak se dhjetë orë Jorge Mario Bergoglio shkoi në île de beauté – ishullin e bukurisë, në Korsikë, atdheu i Napoleonit dhe një nga ishujt më të mëdhenj në Mesdhe. Papa vizitoi Ajaccion nga mëngjesi deri në pasditen e së dielës së 15 dhjetorit, duke marrë pjesë në sesionin e fundit të një Kongresi mbi devotshmërinë popullore, duke takuar klerin vendas dhe duke kremtuar meshën në Parc d’Austerlitz. Në përfundim, edhe takimi me presidentin francez Emmanuel Macron në aeroport për një bisedë mbi aktualitetin në Evropë dhe në botë. Gjatë ditës në Ajaccio pati edhe lutje për Madonnuccia-n (Virgjërën Pajtore të Korsikës), përshëndetje me njerëzit dhe veçanërisht me fëmijët. Ato që, siç u tha gazetarëve në avionin e kthimit, janë gjëja që e preku më shumë gjatë gjithë udhëtimit.

D – Dilexit Nos

E pati shpallur në qershor, e publikoi më 24 nëntor. Enciklika e katërt e Françeskut përshkon traditën dhe natyrën aktuale të mendimit “mbi dashurinë njerëzore dhe hyjnore të zemrës së Jezu Krishtit”, duke na ftuar të përtërijmë kushtimin tonë të vërtetë, në mënyrë që të mos harrojmë ëmbëlsinë e fesë, gëzimin e vënies në shërbim, entuziazmin e misionit. Mesazh, mbi të gjitha, për një botë që duket se e ka humbur zemrën. “Në mes të luftërave dhe copëtimeve, Dilexit Nos na nxit të shikojmë lart dhe të bëjmë zgjedhje të guximshme, ndonjëherë duke humbur, por për të mirën e të gjithëve” – tha kryeipeshkvi i Chieti-Vasto, Bruno Forte, në paraqitjen e tekstit – Ai, sqaroi, nuk është “ndryshim ritmi” për Papën Françesku, por “ndryshim ritmi për ata që i rrafshuan mësimet e tij në fushën sociale dhe politike”.

E – Ekumenizmi

Hapa të rinj në këtë vit për rrugëtimin ekumenik, prioritet i përhershëm e i menjëhershëm gjithnjë për Papën Françesku. Në qershor u paraqit dokumenti nga Dikasteri për Nxitjen e Unitetit të të Krishterëve, titulluar “Ipeshkvi i Romës”, që vë theksin mbi dialogun ekumenik rreth rolit të Papës dhe ushtrimit të parësisë Petrine. Të shumta edhe takimet e Papës me luteranët, metodistët, delegatët e konfesioneve të ndryshme të krishtera e edhe me patriarkun asirian Mar Awa, tridhjetë vjet pas nënshkrimit të “Deklaratës së Përbashkët Kristologjike” nga Gjon Pali II dhe Mar Dinkha IV, e cila i dha fund njëmijëvjeçarit të polemikave doktrinore ndërmjet Kishës Katolike dhe asaj Lindore. Në Bulën që shpall Jubileun, Spes non Confundit, Françesku shprehu “dëshirën e thellë” që gjatë Vitit të Shenjtë “të mos mungojë edhe festa ekumenike”. Përsëriti, kështu, dëshirën e tij që në vitin 2025 të udhëtojë në Turqi për 1700 vjetorin e Koncilit të Nikesë.

F.- Fondi kundër urisë

Përdorimi i një përqindjeje të caktuar të parave të përdorura në armatime, për të krijuar një fond global që do ta zhdukte përfundimisht urinë dhe do të lehtësonte veprimtaritë arsimore në vendet më të varfra. Papa e përsërit këtë propozim në të gjitha ndërhyrjet e tij më të rëndësishme të vitit 2024: në mesazhet për Cop29 dhe Forumin Ekonomik të Davos, Mesazhin për Ditën Botërore të Paqes, takimet me krerët e shteteve dhe qeverive, Spes not Confundit. Në disa raste, Françesku e vuri edhe gishtin mbi tregun e armëve, duke denoncuar “hipokrizinë” e të folurit për paqen, ndërkohë që vijon “armatimi i luftërave”. Me paratë e përdorura për ato shpenzime, kujtoi disa herë duke cituar mendimin e ekspertëve, uria mund të zhduket në shumë vende.

J. Jubileu

Jubileu i Shpresës, i XXVII i zakonshëm i Kishës universale, është i dyti i Jorge Mario Bergoglio-s pas Vitit të Shenjtë të Mëshirës në vitin 2016. Dymbëdhjetë muaj hir, falje, ripërtëritje dhe gjithashtu shenja konkrete të dëshiruara të “shpresës”, si heqja e dënimit me vdekje, falja e borxheve për vendet e varfra, armëpushimi. Një vit për ta çuar shpresën “aty ku ka humbur”, veçanërisht “në vendet e përdhosura nga luftërat dhe dhuna”, tha Papa në predikimin e tij në prag të Krishtlindjes, më 24 dhjetor, pas ritit të hapjes të Portës Shenjte në Bazilikën e Shën Pjetrit. Një ceremoni e thjeshtë, pjesëmarrëse, solemne, e cila u pasua, dy ditë më vonë, nga hapja e Portës  Shenjte në kishën e burgut Rebibbia. Gjest i pashoq, përmes të cilit Françesku donte të çonte shpresën në një vend izolimi dhe vështirësie.

Në lutjen e Zojës së Papërlyer, më 8 dhjetor, Papa kërkoi që të mos “mbytej” hiri jubilar me organizimin, ankesat për kantieret e ndërtimit rreth Romës dhe “gjërat për t’u bërë”. E u dërgoi një letër famullitarëve, priftërinjve dhe besimtarëve fetarë të Dioqezës së Romës për t’i ftuar ata të vënë në dispozicion objektet e strehimit ose apartamentet e tyre falas gjatë Vitit  Shenjt, në mënyrë që të “frenohet urgjenca e strehimit” dhe të aktivizohen “format e mbrojtjes” për ata që janë të pastrehë ose në rrezik për ta humbur atë. Shumë ngjarje e presin Papën deri në mbylljen e 6 janarit 2025 me “jubilenjtë” e ndryshëm kushtuar komunikuesve, artistëve, forcave të armatosura, vullnetarëve, punonjësve të kujdesit shëndetësor, jetës së shenjtëruar, sipërmarrësve, drejtuesve të qeverisë, të rinjve dhe adoleshentëve. Në këto dy ngjarjet e fundit, veçanërisht, pritet fluksi më i madh për shkak të kanonizimit të dy të lumve, Carlo Acutis dhe Pier Giorgio Frassati.

H – Helsinki

Në mes të acarimit të konflikteve dhe tensioneve ndërkombëtare, Papa Françesku – e si ai edhe presidenti italian Sergio Mattarella dhe Kardinali sekretar i shtetit, Pietro Parolin – bëri thirrje të vazhdueshme me “Frymën e Helsinkit”, konferencës së madhe të vitit 1975, e cila ndaloi Luftën e Ftohtë dhe kontribuoi në uljen e tensionit në Evropë, duke kodifikuar pikat fikse mbi detyrën për të respektuar kufijtë shtetërorë dhe për të zgjidhur mosmarrëveshjet përmes diplomacisë dhe dialogut. “Pa dialog nuk do të ketë kurrë paqe”, ishte një nga frazat e përsëritura të Papës këtë vit.

I. Inkurajim

Gjithmonë nxitës i parimit të “barazisë” ndaj kujtdo që vuan, Papa Françesku priti muajt e fundit dëshmitarët e tmerreve në Lindjen e Mesme dhe në Ukrainë. Në prill mirëpriti një delegacion të të afërmve të njerëzve të skuestruar nga Hamasi, në Vatikan; më 7 tetor, një delegacion të të afërmve të njerëzve të rrëmbyer nga Hamasi; më pas, në nëntor, një grup të ish-pengjeve. Në tetor, takimi me Ehud Olmert, 78 vjeç, ish-kryeministër i shtetit të Izraelit së bashku me ish-ministrin e Jashtëm të Shtetit Palestinez, Nasser Al-Kidva. Në dhjetor, audienca prej rreth gjysmë ore me presidentin palestinez Abu Mazen. Nga fronti ukrainas, Papa priti në audiencë për herë të tretë në Vatikan, më 11 tetor, Presidentin Volodymyr Zelensky, të cilin e kishte takuar katër muaj më parë në G7 të Pulias. Më pas priti edhe gruan e tij Olena Zelenska dhe, gjatë muajve, takoi refugjatë, viktima, fëmijë prej zonave të shkatërruara nga bombardimet, gratë e ushtarëve që luftojnë në Azov, të dënuar me burgim të përjetshëm në Rusi.

L – Letrat

Në korrespondencën e dendur publike dhe private të Papës, bien në sy tri letra. E para është letra e 7 tetorit, përvjetorit të masakrës së Hamasit në Izrael, drejtuar katolikëve të Lindjes së Mesme: tekst-padije e  një konflikti “të organizuar nga të fuqishmit” në kurriz të të pafajshmëve dhe të “paaftësisë” së bashkësisë ndërkombëtare për t’i bërë “të heshtin armët”. Mbi të gjitha, mesazh afërsie për ata që vuajnë nga lufta: nënat, fëmijët, të shpërngulurit dhe popullata e vuajtur e Gazës. Letra tjetër është ajo e datës 19 nëntor për nuncin e Kievit, Imzot Visvaldas Kulbokas, për një mijë ditët që nga shpërthimi i konfliktit: një faqe e gjysmë që përfundon me sigurinë se “fjala e fundit” për këtë tragjedi do të jetë e Zotit: Ai “do të kërkojë llogari për të gjithë lotët e derdhur”. Në të njëjtën mënyrë, Françesku i shkroi, më 12 dhjetor, nuncit apostolik në Federatën Ruse, Imzot Giovanni D’Aniello, për ta dënuar edhe një herë luftën, si “plagë serioze” e shkaktuar në familjen njerëzore dhe për të inkurajuar “përpjekjet e përsëritura diplomatike për ndalimin e përparimit të konfliktit”.

M – Medio Oriente – Lindja e Mesme

Nuk ka pasur Lutje Engjëlli të Zotit, audiencë të përgjithshme të së mërkurës, audiencë në Pallatin Apostolik në të cilën Papa të mos e ketë përmendë tragjedinë që po ndodh në Lindjen e Mesme për më shumë se një vit, me sulmin e Hamasit, përgjigjen ushtarake të Izraelit në Gaza, që shkaktoi mbi 50 mijë të vdekur (shifra të raportuara nga Ministria e Shëndetësisë e drejtuar nga Hamasi), thellim të tensioneve me Iranin, sulme në Liban. Një barrë në zemrën e Françeskut, i cili gjithmonë ka bërë thirrje për armëpushim të menjëhershëm në Rrip, për lirimin e pengjeve izraelite ende në robëri, hyrjen e ndihmave humanitare në Gaza, ku popullsia është e rraskapitur. E lidhur me Gazën Papa – veçanërisht në kohët e fundit – ka denoncuar brutalitete të tilla, si ai “i fëmijëve me mitraloz” ose sulmet në shkolla dhe spitale. Në librin “Shpresa kurrë nuk të zhgënjen”, botuar nga Piemme, Papa kërkoi “të hetohej me kujdes për të përcaktuar” nëse ajo që ndodh në Rrip “radhitet në përkufizimin teknik” të gjenocidit “formuluar nga juristë dhe organe ndërkombëtare”. Fjalë këto, si dhe të tjera, që u pritën me ankesa nga bota hebraike dhe nga qeveria e Izraelit.

K. Kardinaj të rinj

Çuditërisht në Engjëllin e 6 tetorit, Papa nga dritarja e Pallatit Apostolik shpalli koncistorin e dhjetë të papnisë së tij për krijimin e 21 kardinajve të rinj. Një listë që ndoqi edhe një herë vizionin global të Kishës nga Papa jezuit, me kardinaj nga Irani, Japonia, Kili, Filipinet, Bregu i Fildishtë, Algjeria por edhe Roma, Torino, Napoli (kryeipeshkvi Domenico “don Mimmo” Battaglia qe shtuar një muaj më vonë). Me kardinajtë e rinj, Kolegji i Kardinajve numëron 253 anëtarë, nga të cilët 140 janë zgjedhës dhe 113 jozgjedhës, në rast Konklavi.

T – Tetëdhjetë e tetë vjeç

Më 17 dhjetor, Jorge Mario Bergoglio mbushi 88 vjeç. Me një shëndet që duket se është përmirësuar në krahasim me vitin 2023, viti i operacioneve dhe i shtrimeve në spital, përveç ndonjë gripi stinor, që e detyroi t’i anulojë audiencat ose të kremtonte Engjëllin në Santa Marta, pasojë e dhimbjeve të zakonshme të gjurit që e pengojnë të kryejë udhëtime të gjata, përveçse në karrocën me rrota. Gjithsesi, Françesku sot është një nga Papët më jetëgjatë në histori. Asnjë festë më 17 dhjetor: ditë normale pune, mes urimesh dhe dhuratash nga e gjithë bota.

SHKARKO APP