Viti i ri akademik nisi me protesta, studentët: Rama do kontroll, ne duam mësim në auditor

Jo në auditore, as online por dita e parë e vitit të ri Akademik nisi në shesh, aty ku mijëra studentë protestuan kundër vendimit për mësim online. ”Unë jam student master shkencor inxhinieri fizike, dua laborator nuk kam vajtur asnjë ditë na laborator, tani viti i dytë prapë online, çfarë mund të presësh nga një inxhinier që bën mësim online”,-u shpreh një student.

”I kam marrë kastile librat edhe i kam blerë, kam paguar edhe tarifën e konviktit, unë jam studente e veterinarisë edhe nuk mund të bëj operacione online është e pamundur”,-tregoi e revoltuar një studente tjetër. ”Kafenetë nuk janë vatra infeksioni, fasoneritë, gjimnazet, Call Center-at nuk përbëjnë rrezik? Studenti tashmë është adult dhe e ka aq logjikë që për të mbrojtur veten dhe të tjerët duhet të zbatojë rregullat”,- u shpreh tejet kritike një studente tjetër.

Protesa e mbajtur pranë Ministrisë së Arsimit u kërkua të shpërndahej nga forcat policore, por pa rezultat. Studentët që vijnë nga rrethet, thonë se kjo situatë i ka rënduar financiarisht, pasi kanë paguar edhe qiratë e shtëpive. ”E kam paguar qiranë edhe tani nuk e dimë sesi të vendosim, se të rrimë këtu kot për mësim online nuk kemi pse rrimë, janë kosto të shtuara tepër, ndërkohë që pagesa është bërë”,-shprehet një student. ”Unë vij nga rrethet, me këtë vendim jam i detyruar të lë shkollën, punën ti le të gjitha edhe të largohem, kur pas një muaji mund të na thonë përsëri që hajdeni dhe do më duhet të filloj çdo gjë nga zeroja”,-tregon një tjetër.

Po ashtu, mësimi online kundërshtohet edhe për shkak të kostos. Ata kanë paguar detyrimet në konvikte apo në banesat me qira dhe u duhet që të përshtaten me mësimin online. Nga konviktet është premtuar se pagesa e nëntorit do të kompensohet në muajin dhjetor, por studentët druajnë se të njëjtin fakt mund ta bëjnë edhe pronarët e banesave me qira.

Zv/dekania e Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, Elsa Skënderi, tha se protesta e studentëve duhet kuptuar, por megjithatë shtoi se situata nuk premton mësimin fizik në auditore pasi të gjithë janë të rrezikuar nga Covid-19. ”Për mua është reagim i drejtë studentëve dhe që duhet kuptuar, megjithatë duhet të kihet parasysh situata me të cilën po përballemi. Bëhet fjalë për një rrezik të pranishëm të jetëve tona, përfshirë atë studentëve dhe të tjerëve. Vendimi që u mor nga instancat shtatore na e kthyen planin dhe këtë seri masash, që ne u përpoqëm ta merrnim për të zhvilluar mësimin fizik. Është një reagim i kuptueshëm, por ne si institucione arsimore jemi gjetur përballë këtij vendimi”, tha ajo.

SHKARKO APP