Viti i ri, fluks i lartë lëvizjeje në kufirin Shqipëri-Kosovë

Viti i ri 2025 ka nisur me fluks. Pika e përbashkët e kalimit kufitar Shqipëri-Kosovë po ndeshet me fluks të lartë lëvizjeve të personave dhe mjeteve. Shumë qytetarë, si nga Kosova por edhe nga Shqipëria, zgjedhin që pushimet e pas festave të fundvitit t’i kalojnë duke vizituar vendet turistike.

Lëvizja e mjeteve është rritur edhe për arsye të largimit të emigrantëve kosovarë në vendet ku jetojnë pas mbarimit të festave të fundvitit. Ndërkohë, janë shmangur radhët e gjata dhe pritjet në kufi falë lëvizjes së lirë duke punuar edhe me procedurë të përshpejtuar për mjetet me targa të huaja.

Po punohet me 8 sportele në të dy kahet e kufirit. Këto ditë policitë kufitare po punojnë edhe me procedurën pa kontrolle për mjetet me targa të Shqipërisë e Kosovës. Kujtojmë se festat e fundvitit kanë shënuar një rritje të fluksit të hyrje-daljeve të udhëtarëve në pikat e kalimit kufitar në qarkun e Kukësit.

Shërbimet e Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Emigracionin Kukës bëjnë të ditur se nga data 19 dhjetor e vitit që lamë pas e deri më sot në pikat e kalimit kufitar të qarkut të Kukësit, kanë hyrë në vendin tonë mbi 90 mijë shtetas.

SHKARKO APP