Viti i ri shkollor, transporti i nxënësve dhe infrastruktura problem
Viti i ri shkollor në Kukës pritet të nisë me probleme në infrastruktuën e shkollave dhe sigurinë e transportit të nxënësve. Këto shqetësime kryesore u diskutuan në një takim mes drejtuesve të institucioneve për koordinimin e punës.
Siguria e transportit të nxënësve kryesisht në zonat rurale dhe të thella të qarkut të Kukësit mbetet shqetësimi kryesor i policisë për vitin e ri shkollor që nis më 16 shtator.
Kjo problematika më e theksuar është në Has e Tropojë, bashki me terren malor ku dimri është i vështirë.
Ndaj duke paralajmëruar kontrolle të rrepta, drejtori i Policisë së Kukësit u kërkoi kryebashkiakëve të tregojnë kujdes me licensimet e mjeteve.
Zef Laska: Transportin e nxënësve të mos e bëjë kush të zgjohet më herët në mëngjes dhe kush të zëjë radhën atje se do të na prodhojnë kosto të jashtëzakonshme.
Infrastruktura ndërkohë mbetet shqetësim për mësuesit. Shkolla 9-vjeçare “Avni Rustemi” dhe gjimnazi “Havzi Nela” në qytet, pritet ta fillojnë vitin e ri shkollor me probleme të theksuara.
Sipas drejtorit të Arsimit, të dyja institucionet kanë nevojë për rikonstruksion të plotë.
Skënder Ahmeti: Kemi probleme sidomos me gjimnazin “Havzi Nela”, godina nuk garanton normalitet për zhvillimin e procesit mësimor.
Kryebashkiaku, Safet Gjici, tha se për shkollën 9-vjeçare “Avni Rustemi” do të merren modelet e Bashkisë Tiranë, ndërsa për gjimnazin do të kërkohet investim nga qeveria për vitin e ardhshëm.
Safet Gjici: Në mbledhjen e parë të Këshillit të Rajoneve do ja paraqesim kryeministrit për investim të gjithë gjimnazin e Kukësit, pastaj do të fillojmë me shkollat e qytetit, duke dalë edhe nëpër fshatra.
Ndërkohë bashkitë e qarkut Kukës thonë se kanë nisur punën në përgatitjen e shkollave në mënyrë që 16 shtatori ti gjejë në kushte sa më optimale.
/Ora News
KOHA JONË SONDAZH

