“Viti shkollor nis me braktisjen masive të arsimit tonë”, PD: 295 shkolla 9-vjeçare janë mbyllur brenda 8 vitesh

Drejtuesja e Departamentit të Arsimit në Partinë Demokratike, Lili Sula, ka ngritur shqetësime për gjendjen e arsimit në Shqipëri. Sipas saj ky vit shkollor po nis me një thellim të braktisjes masive të arsimit, duke përmendur mbylljen e 295 shkollave 9-vjeçare gjatë periudhës 2013-2022, çka përbën 22% të institucioneve arsimore të detyruara në vend. Sula premtoi se Partia Demokratike do të punojë për ta rikthyer arsimin në nivelin që i takon dhe për të përmirësuar statusin e mësuesve, duke e shpallur arsimin si prioritet kombëtar. “Është detyrim ligjor, mision profesional dhe human”, theksoi ajo, duke nënvizuar angazhimin e PD-së për të siguruar një arsim cilësor dhe të barabartë për të gjithë fëmijët shqiptarë.

Deklarata e plotë

Të dashur qytetarë, mësues e nxënës! Ky vit shkollor fillon me thellimin e braktisjes masive të arsimit tonë.
Gjatë viteve 2013-2022 janë mbyllur 295 shkolla 9-vjeçare në vend, ose 22% e shkollave të arsimit të detyruar, sipas të dhënave zyrtare, të cilat lenë vend për pikëpyetje. Këto janë shifra të dala nga INSTAT, pra janë zyrtare. Po t’i shtojmë kësaj shifre mbylljen e institucioneve të arsimit parashkollor dhe atyre të mesëm të lartë, tabloja e zhbërjes dhe gremisjes së arsimit bëhet më e plotë.

Arsimi 9-vjeçar është i detyruar dhe u garantohet në Kushtetutë nxënësve, por emigrimi i shqiptarëve në nivele më të larta se vendet e rajonit, pagat e ulëta të mësuesve, mungesa e infrastrukturës digjitale, mosmbështetja financiare e sistemit arsimor, politizimi i tij, mosgarantimi i cilësisë, reforma e dështuar e kurrikulave, mungesa e motivimit për mësuesit, rënia e nivelit profesional të tyre e mbi të gjitha projekti i shpopullimit të vendit, janë shkaqe të forta për të ardhur në këtë ditë.

Vendi ynë shënoi rënien më të madhe në nivel botëror në rezultatet e testit ndërkombëtar PISA 2022 , nxënësit tanë u renditën të fundit në botë për mendimin krijues – rezultate që e plotësojnë edhe më shumë tablonë mjerane të arsimit shiptar.

Rilindja sot e financon arsimin më pak se sa financohej para viteve 1990: shteti diktatorial e financonte arsimin në shumën 4-5% të PBB, nivel që ishte i krahasueshëm për kohën me vendet e tjera të OECD-së. Rilindja e ka financuar arsimin gjatë kësaj dekade më pak se financimi që i jepte qeveria e Partisë Demokratike në vitet 2005-2013. Sot arsimi financohet gati 40% më të ulët se vendet e zhvilluara dhe 20% më pak se financimet që japin vendet e rajonit.

Arsimi ynë ka shkuar në pikën fundore, dhe mësuesit shprehen se reformat e gjatë këtyre viteve i kanë shndërruar ato në burokratë, duke i rrirur ngarkesën që nuk ka lidhje me përçuesin e dijes. Partia Demokratike premton që do e ngrejë arsimin nga humnera ku e ka gremisur Rilindja dhe figura e mësuesit do të gëzojë statusin që i takon, për t’i edukuar fëmijët me shërbim arsimor të barabartë dhe cilësor për të gjithë.

Është detyrim ligjor, është mision profesional e human dhe Partia Demokratike e ka shpallur prioritet kombëtar dritësimin i nxënësve sot që të kemi një shoqëri të zhvilluar neser.

SHKARKO APP