Vizita e Osmanit, Bashkurti: Vjosa erdhi si qytetare moderne, ne jemi mësuar me mungesë sinqeriteti

Vizita e presidentes në detyrë Vjosa Osmani në Tiranë shkoi përtej protokollit normal të një kreu shteti, Për analistin dhe profesorin e shkencave politike Lisen Bashkurti “Vjosa Osmani erdhi me tre cilësi në Tiranë, si përfaqësuesja e drejtpërdrejt e popullit të Kosovës dhe personaliteti politik më i votuar atje, si institucioni më përfaqësues që është Kuvendi dhe si presidente në detyrë. Komunikimi i saj i hapur dhe i drejtpërdrejt vjen pikërisht nga përfaqësimi i saj popullor, por ky tip komunikimi është edhe pjesë e profilit të saj politik”.

Vizita e Osmanit, Bashkurti: Vjosa erdhi si qytetare moderne, ne jemi mësuar me mungesë sinqeriteti

Analizës së Bashkurtit iu bashkua analisti nga Prishtina Gurakuq Kuqi analist që analizoi edhe reagimet kosovare ndaj vizitës së saj në Tiranë. “Kundër vizitës së Osmanit ka patur shumë në radhët e politikes, sepse ka një tendencë për të mos lejuar frymën e re politike në Kosovë, që sipas meje mund të shpërthej në 2021”, deklaroi ai. Kritikat nga Prishtina politike cilësohen si totalisht të pabazuara dhe të padrejta nga Bashkurti. “Vjosa Osmani erdhi si një qytetare moderne që përfaqëson Kosovën europiane dhe vizionare, por edhe patriotike, me një gjuhë shumë normale në komunikimin politik, por ne jemi mësuar me mungesën e sinqeritetit, me një gjuhë të tërthortë dhe jo të drejtpërdrejtë, me një mungesë të theksuar të transparencës. Idetë që parashtroi nuk ishin diplomatike, sepse nuk erdhi në Shqipëri me gjuhë diplomatike, po sepse erdhi si një patriote e interesuar për të gjithë hapësirën shqipfolëse në Ballkan”, nënvizoi Bashkurti në A2.

Sipas tij, “ajo ngriti çështjen e përpunimit të një rezolute për të dënuar krimet serbe, pasi Serbia prej vitesh nuk pranon gjenocidin dhe krime të luftës, nuk mund të filloj një bashkëpunim në qoftë se Beogradi nuk del nga pozicioni i strucit për këtë temë. Parlamenti lypet ta mbështesë këtë kërkesë, sepse e vërteta duhet mbështetur nga politika shqiptare. Elementi tjetër ishte që duhet të hiqet trau, që është faktik por edhe metaforë, sepse ka shumë barriera të dukshëm dhe padukshme në integrimin e thelluar midis Shqipërisë edhe Kosovës”.

Ndërkohë sipas Kuqit, “Rama nuk ishte në Kuvend, por nuk e priti as në mënyrë protokollare zonjën Osmani, një injorim total ndaj institucionit me të lartë të Kosovës. Ka mospajtime të forta mes tyre por edhe ndryshimeve që po ndodhin në Kosovë. Shqipëria dhe sidomos kryeministri nuk duhet të harrojë se Serbia nuk është mike i Shqipërisë. Mik dhe vëlla është Kosova, jo Serbia”. Bashkurti shtoi këtij argumenti se “ për sa kohë kushtetuta serbe e mban si parathënie Kosovën si provincë të saj, kjo do të thotë se ideja e shkëmbimeve të territoreve nuk është e çrrënjosur, dhe Osmani paralajmëroi politikën shqiptare në Kuvend që të parandalojë çdo tentativë të tillë. Nuk është e rastësishme që sa u zbeh ideja e shkëmbimeve doli në pah sërish çështja e asociacionit, sepse copëzimi e shndërron Kosovën në një territor jo funksional, ashtu si republika Srpska në Bosnje, është teori e rrezikshme. Iniciativat rajonale si Mini Shengeni nuk mund të jenë iniciativa personale, të fillojnë nga kokat, por nga komisione të përbashkëta, dhe pasi piqet një mendim i përbashkët dhe rreziqet që duhet të mënjanohen mund të fillojë diçka e tillë. Është tentuar ta lartësojnë si një projekt alternativ të Bashkimit Europian, por në fakt është projekt me benefite kryesore për Serbinë dhe një dritare e hapur për interesat ekonomike dhe tregtare të Rusisë në Ballkanin Perëndimor”.

SHKARKO APP