Vizita e presidentit izraelit në Tiranë, Rama: E ardhmja do të jetë më e sigurtë në një rajon të begatë

Kryeministri Edi Rama mikpriti këtë të enjte Presidentin e Izraelit, Isaac Herzog, i cili ndodhet për një vizitë zyrtare në vendin tonë, si presidenti i parë izraelit që viziton Shqipërinë që pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve. Pas takimit të zhvilluar mes delegacioneve, në Sallën e Hartave, Rama dhe Herzog dhanë një deklaratë të përbashkët për shtyp.

Fjala e plotë nga Rama

I dashur presidenti Herzog, Të dashur miq nga Izraeli që keni ardhur në Shqipëri! Shqipëria e konsideron Izraelin dhe marrëdhëniet me popullin hebre pjesë të historisë krenare të një vendi të vogël, që kanë shkruar një faqe shumë të bukur në historinë e botës, duke qenë vendi europian i vetëm që kishte më shumë hebrenj pas Luftës së Dytë Botërore sesa përpara.

Jemi shumë krenarë që paraardhësit tanë, qofshin myslimanë, a të krishterë kapërcyen çdo lloj kufizimi dhe paragjykimi fetar apo të një lloji tjetër dhe mbrojtën hebrenjtë dhe asnjë hebre nuk iu dorëzua nazistëve. Shqipëria u bë një vend ku ndryshe nga vende të tjera hebrenjtë nuk largoheshin, por vinin të gjenin miqësi, strehë dhe mbrojtje. Është një lidhje historie që gjithmonë kemi qenë dhe do të jemi të prirur ta forcojmë. Nga ana tjetër, kemi qenë, jemi, e do të vazhdojmë të jemi përherë në mënyrë të palëkundur kundër çdo forme e mënyre antisemitizimi e po kështu kundër çdo lloj shprehjeje intolerance a paragjykimi kundër hebrenjve.

Jemi sigurisht shumë të vetëdijshëm se ajo çfarë po ndodh në territoret ku populli i Izraelit dhe populli i Palestinës jetojnë është absolutisht shumë e rëndë dhe është absolutisht diçka që duhet të marrë fund sa më shpejt. Nga ana tjetër, jemi mjaft të vetëdijshëm se kjo është më e lehtë të thuhet sesa të bëhet, e se lufta e fitorja kundër terrorit është shumë më e vështirë sesa ç’mund të duket nga larg.

Nga ana tjetër, Shqipëria ka qenë po kështu një mbështesë mjaft e madhe e armëpushimit dhe e çdo përpjekjeje të mundshme për të sjellë në shtëpi pengjet e për të nisur një proces të ri për të mirën e të gjithëve njerëzve. Jam shumë i prirur të theksoj se ndërkohë që këto janë kohë mjaft të vështira për Izraelin, për popullin e tij e për të gjithë popujt që jetojnë në atë kënd të botës, e ardhmja do të jetë me siguri një e ardhme e një Izraeli më të fortë e më të sigurt e pa asnjë dyshim në një rajon më të begatë e më të paqtë e vizionar.

Ndërkohë jemi këtu krahëhapur për të mirëpritur të gjithë izraelitët që duan të vijnë, qofshin turistë a sipërmarrës, artistë, shkrimtare, qofshin njerëz që merren me teknologji të lartë apo qoftë dhe ata në moshë më të vjetër që duan të kenë shtëpinë e tyre këtu në zemër të Europës, në breg të dy deteve rrethuar nga shumë lumenj, në një natyrë ku gjen gjithçka brenda një hapësirë shumë të vogël të një vendi po kaq të vogël sa Shqipëria. Bashkëpunimi ekomomik midis dy vendeve ka një potencial të jashtëzakonshëm për t’u zhvilluar me shpejtësi. Prirjet janë mjaft inkurajuese dhe të dukshme, por natyrisht është afër mendsh që mund të bëjmë shumë më tepër.

Në fund, jam shumë, shumë i lumtur që më së fundi kam Presidentin këtu si mik, jo vetëm si President i Izraelit, por edhe si një mik shumë i dashur dhe i vjetër që kam pasur privilegjin ta njoh shumë kohë më parë, kur ishte në llogoret e politikës së ditës në Izrael dhe është një kënaqësi e vërtetë të kesh mundësi të ulesh me të, ta dëgjosh dhe të mësosh prej tij. Një njeri mjaft i mençur, i shquar, një njeri me përvojë, i cili ka në zemër miqësinë me Shqipërinë dhe me popullin shqiptar dhe jam i sigurt që pas kësaj vizite do të jetë më i motivuar që të nxitë forcimin edhe më shumë të kësaj marrëdhënie të rëndësishme. Faleminderit zoti president sërish. Faleminderit shumë miku im, fjala është për ju.

SHKARKO APP