Vjedhja e mbi 50 ton metaleve në Kombinatin e Poliçanit, ish-ministri Çuçi pyetet për mbi 1 orë si person që ka dijeni

Ish-ministri i Brendshëm, njëherësh kreu i Grupit Parlamentar Socialist, Bledi Çuçi, u thirr sot për të dëshmuar në Prokurorinë e Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, si person në dijeni për të dhënë shpjegime në lidhje me vjedhjen e një sasie të konsiderueshme metalesh në Kombinatin Mekanik të Poliçanit.

Pasi qëndroi 1 orë e 10 minuta brenda ambienteve të Prokurorisë së Beratit, ku ishte thirrur nga Prokurori Eni Çulli, në dalje Blendi Çuçi tha për mediat:

“Isha thirrur për të dëshmuar për disa rrethana që prokurori mendon që unë jam në dijeni. Ka të bëj nëse e njoh unë shtetasin Erjon Zylyftari, pra kryetarin e Partisë Socialiste të Poliçanit apo jo dhe a e kam takuar ndonjëherë apo jo.”

Çështja që është regjistruar si procedim penal në vitin 2022, për “shpërdorim detyre”, ky i dyshuari kryesor është ish/drejtori i Kombinatit dhe njëherësh kryetar i PS-së Poliçan, Erjon Zylyftari dhe zyrtarë të tjerë të lartë.

Bëhet fjalë për mbi 50 ton metale në Kombinatin Mekanik të Poliçanit ku është shkaktuar një dëm i konsiderueshëm, ndërkohe që janë bërë edhe audite rreth dëmit ekonomik, për të cilat është vënë në dijeni asokohe edhe Ministria e Mbrojtjes.

SHKARKO APP