Vjosa kthehet në shtratin e saj, por ka shtëpi të mbuluara nga balta dhe dëme të mëdha materiale
Niveli i lumit Vjosa ka rënë këtë mëngjes, por dhjetëra hektarë tokë bujqësore është ende nën ujë.
Situata paraqitet më e qetë. Uji është larguar nga banesat, duke lënë pas baltë dhe llum. Gjatë natës, banorët kanë qëndruar te familjarët e tyre. Ata apelojnë për ndihmë, ndërkohë që thonë se dëmet janë të shumta, uji u ka shkatërruar pajisjet elektroshtëpiake.
“Unë bëj thirrje kush të më ndihmojë, kush e dëgjon, qeveria tek ajo mbështetemi, edhe bizneset të na ndihmojnë. Emergjencat kanë qenë, kur erdhi uji nuk futej këmbë robi. Shyqyr që doli dielli që të ngrohemi, por çfarë do të bëjmë natën. Fëmijët i kemi të larguar, gjithsekush punon për vete, nuk di çfarë të bëj gruan e kam me problem shëndetësore”, thotë një banor.
Në rrugën nacionale Levan-Mifol, që dje ishte e pakalueshme, sot qarkullohet lirshëm.