Vjosa Osmani: Bujar Nishani u kujdes që Kosova të mbahet lart në agjendën e tij. Shtetar i paepur
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ishte e pranishme në ceremoninë e lamtumirës së fundit të ish-presidentit shqiptar, Bujar Nishani.
Osmani shkruan në facebook, se në emër të qytetarëve të Kosovës nderoi veprën e tij, derisa përmendi se Nishani është kujdesur gjithmonë që Kosova të jetë lart në agjendën shtetërore të Shqipërisë.
“Sot ia dhamë lamtumirën e fundit ish-Presidentit të Shqipërisë, Bujar Nishanit, i cili u nda nga jeta ditë më parë. Në emër të qytetarëve të Kosovës u përkulëm para arkëmortit të Presidentit, shtetarit të paepur, njeriut të urtë e dinjitar, qytetarit të ndershëm e atdhetarit të përkushtuar. Ai u angazhua tërë jetën për shtetin e kombin shqiptar. Si President i Shqipërisë, ai u kujdes gjithnjë që Kosova të mbahet lart në agjendën e tij shtetërore”, ka shkruar Osmani.