Vlora e Ramës deputet, qyteti me papunësinë më të lartë në Shqipëri
Ndonëse është qyteti më i pushtuar nga turistët në sezonin veror, nuk i ka mjaftuar që qyteti të mos e kalojë nivelin e lartë të papunësisë. Në një raport të fundit nga revista “Monitor”, vihet re se qyteti që ka potencial të lartë turistik dhe portin e dytë më të madh në vend, ka më shumë të papunë, në raport me forcën aktive për punë, se në çdo qark tjetër në Shqipëri. Edhe pse Kryeministri i Shqipërisë ka mandat deputeti në Vlorë, trguesit paraqesin pikërisht këtë qytet, me numrin më të lartë të papunësisë.
Sipas raportit, nënvizohet se nga të dhënat e fundit të anketës tremujore të forcës së punës të INSTAT, tregojnë se shkalla e papunësisë në Vlorë ishte 26.45, më e larta në vend dhe shumë më e madhe se mesatarja e vendit prej 15.5%.
“Në raport me tremujorin e mëparshëm, papunësia në Vlorë është rritur lehtë (në tremujorin e parë ishte 26.3%), ndryshe nga pjesa më e madhe e qarqeve, që kanë parë një rënie të këtij treguesi në tremujorin e dytë të vitit. Pjesa më e madhe e të punësuarve në Vlorë janë në shërbime, me rreth 52% të totalit, të ndjekur nga industria me 25.7% dhe bujqësia 22.4%”, shkruan Monitor.
Më tej, në raport ështv paraqitur dhe një tabelë e INSTAT, ku ka publikuar në anketën tremujore të forcave të punës edhe ndarjen e papunësisë sipas qarqeve.
Sakaq, shtohet se:”Në tremujorin e dytë, qarku me papunësinë më të ulët është Dibra me 8.1%, e ndjekur nga Berati me 8.9% dhe Korça me 9.9%. Në tremujorin e dytë 2016, shkalla e papunësisë për gjithë Shqipërinë ishte 15,5 % duke shënuar një ulje prej 1,1 pikë përqindje nga tremujori i parë i këtij viti. Qytetet që kanë parë rënie më të madhe të papunësisë janë Tirana (-3.5 pikë përqindjeje), Gjirokastra (-3.3 pikë përqindjeje), Lezha (-2.1 pikë përqindjeje), Durrës (-1.4 pikë përqindjeje). Papunësia është rritur më shumë në Elbasan (+1.3 pikë përqindjeje) dhe Korçë (+1 pikë përqindjeje)”.

KOHA JONË SONDAZH

