Vlorë, pezullohet lundrimi për mjetet e vogla detare dhe të peshkimit
Kapitaneria e portit detar të Vlorës ka pezulluar lundrimin detar për të enjten për mjetet e vogla lundruese dhe ato të peshkimit. Shkak për urdhrin është bërë era e fortë bregdetare dhe deti me dallgë. Sa i përket anijeve të transportit ndërkombëtar detar, ato do të vazhdojnë të operojnë normalisht sipas destinacioneve përkatëse. Sipas Kapitenerisë, përmirësimi i situatës hidrometeorologjike për mjetet e vogla lundruese dhe të peshkimit do të ndodhë mbas orës 08:00 të së premtes.
Njoftimi i plotë
Në bazë të parashikimeve për përkeqësimin e kushteve hidrometeorologjike brenda dhe jashtë gjirit të Vlorës, gjatë datave 21–22.08.2025, duke filluar nga ora 10:00 e datës 21.08.2025, në drejtimin JUG–JUGPERËNDIM, me forcë deri në 6–7 Bft, shpejtësi ere 15–20 m/s dhe lartësi dallgësh nga 1.5 deri në 2.5 metra, ju informojmë se:
Ndalohet pajisja me leje nisje për mjetet e vogla lundruese dhe ato të peshkimit që operojnë brenda gjirit të Vlorës, Himarës dhe në det të hapur, duke filluar nga ora 10:30 e datës 21.08.2025.
Të gjithë drejtuesit e mjeteve të vogla lundruese dhe anijeve të peshkimit, që operojnë brenda dhe jashtë gjirit të Vlorës dhe Himarës, të marrin në konsideratë kushtet hidrometeorologjike dhe të ndërmarrin të gjitha masat për sigurimin e mjeteve të tyre.
Me qëllim parandalimin e çdo situate të papritur për shkak të kushteve atmosferike, kërkojmë bashkëpunimin e të gjitha subjekteve dhe institucioneve që ushtrojnë veprimtari në fushën e detarisë, për të marrë masat e nevojshme për sigurimin e mjeteve në port, si dhe rritjen e gadishmërisë së ekuipazheve në mjetet lundruese.
KOHA JONË SONDAZH

