VOA: Përdorimi i dronëve iranianë nga forcat ruse dhe ndikimi tek lufta në Ukrainë
Rusia vazhdon të sulmojë objektivat civile në Ukrainë, në disa raste duke përdorur dronë të prodhuar nga Irani. Ekspertët i thonë Zërit të Amerikës se Rusia mund t’i drejtohet Iranit dhe Koresë së Veriut për furnizime ushtarake, sepse po i mbarojnë armatimet moderne. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Cindy Saine foli me disa ekpsertë të cilët analizojnë se si bashkëpunimi ushtarak mes Teheranit dhe Moskës mund të ndikojë në përpjekjet e administratës Biden për të ringjallur marrëveshjen bërthamore të Iranit.
Gjatë javës forcat ruse kryen dhjetëra sulme në Ukrainë, ndërsa raketat goditën edhe kryeqytetin e vendit Kievin, apo dhe qytete si Mykolaiv, në jug të vendit.
Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar ka konfirmuar se forcat ruse kanë përdorur dronët “Shahed-136”, të prodhuar nga Irani, në sulmet brutale të kësaj jave.
John Kirby, zëdhënës i Këshillit të Sigurisë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë, foli për Zërin e Amerikës për përdorimin e dronëve iranianë nga forcat ruse.
“Ne e dinim që këta dronë do të futeshin në fushën e betejës kur e thamë publikisht se rusët do të shkonin në Teheran për t’i blerë. Mbetet për t’u parë se sa ndikim do të kenë ata në fushën e betejës, por deri tani po shikohet se kanë aftësi vdekjeprurëse”, deklaroi zoti Kirby.
Ai tha për Zërin e Amerikës, se Uashingtoni dhe aleatët e NATO-s po i ofrojnë Ukrainës sistemet e mbrojtjes ajrore që u nevojiten për t’iu përgjigjur sulmeve të Rusisë.
Mary Glantz, nga Instituti Amerikan i Paqes tregon arsyet se pse Moska iu drejtua Teheranit për të blerë dronë.
“Pritet që Moskës t’i mbarojnë armatimet moderne. Rusia ka tonelata me armatime më të vjetra, të stilit sovjetik dhe ndoshta kjo është arsyeja se pse ata po mbështeten më shumë tek dronët iranianë”, thotë ajo
Një tjetër ekspert i tha Zërit të Amerikës se vlen të përmendet se Irani po përfshihet në luftën e Rusisë kundër Ukrainës.
“Kjo është hera e parë që ne e kemi parë vërtet Republikën Islamike të Iranit që nga viti 1979 të përfshihet në një tjetër operacion ushtarak në këtë mënyrë. Këtë nuk e kemi parë më parë përsa i përket një shteti tjetër sovran. Irani bën shumë aktivitete në rajon për sa i përket mbështetjes së grupeve militante si Hezbollahu apo grupe të tjera, por tani Irani po mbështet Rusinë. Kjo është e pazakontë”, thotë Alex Vatanka, Instituti i Lindjes së Mesme.
Zoti Vatanka thotë se nuk beson se Teherani po dërgon dronë Moskës për të patur ndikim në përpjekjet për të ringjallur marrëveshjen bërthamore me SHBA dhe aleatët europianë. Sipas tij madje Teherani po përpiqet të minimizojë bashkëpunimin me Moskën.
“Ata nuk duan të duken sikur po marrin pjesë në këtë konflikt, sepse janë të shqetësuar për opinionin publik në Iran, i cili është në shumicë kundër agresionit rus në Ukrainë”, thotë ai.
Në fund të muajit të kaluar, presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy dënoi përdorimin e dronëve iranianë për të sulmuar vendin e tij dhe reduktoi numrin e personelit diplomatik në ambasadën iraniane në Kiev.