Vodhën ndihmat për banorët e tërmetit, në pranga dy policë dhe një zjarrfikës
Dy punonjës policie dhe një i Shërbimit Zjarrfikës janë arrestuar nga ShÇBA pasi akuzohen për vjedhje të ndihmave që kishin destinacion banorët e prekur nga tërmeti.
Ndërsa dy persona të tjerë janë proceduar penalisht për mashtrim.
Personat akuzohen për “Mashtrimit” dhe “Shpërdorimit të detyrës”.
Sipas ShÇBA të arrestuarit janë:
– A.Z., me detyre Shef i Seksionit të Rendit pranë Komisariatit të Policisë Rinas, për veprën penale të “Mashtrimit në bashkëpunim”;
– E.H., me detyrë Komandant skuadre në Seksionin e Rendit pranë Komisariatit të Policisë Rinas për veprën penale “Shpërdorim detyre”;
– A.T., me detyrë punonjës i shërbimit zjarrfikës pranë PMNZSH Kombinat, për veprën penale të “Mashtrimit, e kryer në bashkëpunim”.
U proceduan penalisht
Gjithashtu janë proceduar në gjendje të lirë shtetaset V.Z. dhe Sh.T. për veprën penale të “Mashtrimit”, kryer në bashkëpunim.
“Procedimi i tyre u krye pas hetimeve të zhvilluara në lidhje me publikimin e një video në media, ku shfaqeshin pamje të transportimit e përvetësimit të një sasie të konsiderueshme pakosh ushqimore (të sekuestruara në cilësinë e provës materiale) të destinuara për banorët e prekur nga situata e tërmetit”, thuhet në njoftim.
Materialet hetimore proceduriale do t’i dërgohen Prokurorisë Tiranë për hetime të mëtejshme.
SHÇBA fton çdo qytetar të denoncojë në numrin jeshil 0800 90 00, për çdo rast abuzimi të punonjësve të Policisë së Shtetit, duke garantuar reagim të shpejtë e në kohë.