Vojsava Nelo: “Nëpër vorbullat e mistereve”

 INTERVISTA/Autorja Vojsava Nelo flet për botimin më të ri dhe letërsinë: “Shkruaj sepse kështu jetoj”

Shkrimtarja Vojsava Nelo tashmë, vjen me një tjetër krijim që premton sukses. Novela “Nëpër vorbullat e mistereve”, ka vetëm pak ditë që ka dalë në qarkullim dhe impakti në prezantimet e para me të rinjtë dhe studiues ka qenë mëse pozitiv. “Nëpër vorbullat e mistereve”, është një udhëtim në skutat e shpirtit të njeriut. Një novelë, ku shihet drita, por edhe errësira e personazheve. Në një intervistë për “Koha Jonë”, Nelo rrëfen motivin kryesor të kësaj vepre, si dhe ndan me lexuesit mendime për letërsinë, arsyet që e bëjnë të shkruajë, si dhe zbulon se cili do të jetë projekti i ri poetik.

 Znj. Nelo, pas disa botimeve të suksesshme, sapo keni publikuar librin më të fundit “Nëpër vorbullat e mistereve”.  Cilat janë vorbullat e mistereve që keni vendosur të ndani me lexuesit?

Vorbullat e mistereve që vendosa të ndaj me lexuesin së fundmi, me novelën e sapobotuar “Nëpër vorbullat e mistereve”, janë vorbulla që vërtiten rreth e brenda nesh; brenda botës së njeriut, në zonat e errëta të qenies, ku unë ngulmoj më shumë e që përbëjnë shqetësimin tim krijues në vijimësi, nga njëra vepër në tjetrën, nga njëri libër në tjetrin, qoftë në poezi, po sidomos në prozë. Kjo për arsyen e thjeshtë se proza, kjo gjini e krijimit letrar, është ai shtrati i gjerë, ku mund të vërshojnë subjekte, personazhe, situata, përjetime e përfytyrime, trille e të vërteta, duke të dhënë dorë të përcjellësh te lexuesi atë që ti dëshiron të rrëfesh, atë që të shqetëson apo të intrigon.

Në novelën në fjalë, që në faqet e para, lexuesi ndjen të përfshihet nga vorbulla që shumë shpejt rritin intensitetin duke të futur në meditime, ngjarje e histori, që vijnë tek lexuesi të përjetuara thellësisht nga personazhi kryesor i veprës, Marselina. Vorbulla, që në rrjedhë të jetës shumëfishohen e ushtrojnë presion të fortë në situata e momente të caktuara, të rënda e gati shkatërruese. Por Marselina është tepër vitale; përballon, kapërcen dhe jeton përmes vorbullave të mistereve, të vogla e të mëdha, në një mënyrë, që të zgjon një vlerësim të admirueshëm. Nuk mund të mos e adhurosh Marselinën që në krye të herës, të mos e duash. Nuk mund të mos vuash me vuajtjen e saj, shqetësimin dhe të mos ndiesh vorbullat që vijnë që brenda mureve të shtëpisë, fisit apo mjedisit, ku jeton, që janë të saj, të Marselinës, po që mund të jenë edhe të tuat. Thjesht Marselina i rrëfen, i përcjell vorbullat me kurajë dhe vërtetësi, duke shtruar disa pyetje kapitale, të rëndësishme për jetën dhe njeriun;  ekzistencën e tij.

Cilat janë këto pyetje?

Përgjigjen e kësaj pyetjeje lexuesi do ta marrë gjatë leximit të novelës, “Nëpër vorbullat e mistereve, që sapo është botuar nga SHB “Bota Shqiptare”.

Në përfundim të përgjigjes sime mund të them se, si në tërësinë e krijimtarisë time, qoftë në poezi apo qoftë në prozë dhe në novelën “Nëpër vorbullat e mistereve”,  unë qëndroj në botën shpirtërore të njeriut, duke u zhytur dhe më thellë në skutat e errëta të tij, prej nga vijnë në fund të fundit vorbullat e mistereve, që shpesh nuk arrijmë t’i marrim vesh e të kuptojmë nga vijnë dhe pse; si lindin, si përzihen e se si shndërrohen hera-herës në tornado, shkatërruese për njeriun, ndonjëherë pse jo dhe vdekjeprurëse.

Këto ditë kemi parë që libri është prezantuar në një format të ri, me takime me studentë dhe gjimnazistë. Cilat janë kritikat pozitive dhe negative që keni marrë?

Libri im i ri, novela “Nëpër vorbullat e mistereve”, sapo ka dalë dhe sa kanë filluar shpërndarjet, leximi dhe takimet e para. Ato do të vazhdojnë me panairin që do të çelet në muajin nëntor, po dhe më pas, duke vazhduar traditën time tashmë, si dhe të shumë autorëve të tjerë, të takimeve të drejtpërdrejta me lexuesin, brenda po pse jo dhe jashtë shtetit, kudo ka shqiptarë dhe adhuronjës apo simpatizantë të penës sime, si dhe në të shkuarën, me botimet e mëparshme.  Takimet e para për promovimin e novelës, “Nëpër vorbullat e mistereve”, qenë dy dhe u realizuan në librarinë “AGOLLI” me miq e dashamirës. Këto takime që u bënë në kuadrin e muajit të leximit që pati në qendër nderimin për figurën e të madhit, Dritëro Agolli, (20, 21 tetor). Në këto takime, unë lexova për të pranishmit një fragment të novelës e më pas mirëprita mendimet, pyetjet dhe diskutimet e që të impresiononin, ku spikati diskutimi i studiuesit dhe kritikut të artit, Prof. Dr. Josif Papagjoni.

vojsava-nelo2

Siç ndodh nëpër takime e festa promovimesh, u thanë fjalë të mira dhe u bënë përgëzime. Por pati dhe ndonjë sugjerim, për fatin e personazhit kryesor të novelës, Marselinës, një personazh që të bën ta duash, ta vlerësosh e ta shohësh si pikë referimi për vorbullat e tua. Një sugjerim, dashamirës, për fundin e saj. Po fati i Marselinës tashmë është përcaktuar e nuk mund të ndryshojë. Po cili është ky fat? Hë për hë nuk mund të themi më shumë se kaq, nuk mund ta zbulojmë. Zbulimin e saj ia lëmë lexuesit për ta bërë. Dhe, duke qenë se jemi tek organizimet e promovimit të novelës, është momenti për të thënë diçka. Këto promovime janë bërë në mjedise jo fort të mëdha, salla me shumë njerëz, siç jemi mësuar, edhe unë vet. Kjo mënyrë organizimi në grupe e rrethe  të ngushta, siç ndodhi me novelën tonë ne mjediset e librari “AGOLLI”, më erdhi së brendshmi së pari, për librin, që ishte një novelë. Rrinte mirë në këto mjedise, së dyti dhe kryesorja, i preka këto lloj takimesh gjatë ditëve të pjesëmarrjes sime në Festivalin e Poetëve të Mesdheut “Zërat e Jetës, Francë, Sete, (20-31 korrik, 2016), ku isha e ftuar duke përjetuar një mundësi e një eksperiencë të shkëlqyer. Kur novela ime erdhi në jetë, unë tashmë dija mirë se si do veproja me të. Ka të tjerë që e kanë bërë para meje e krahas meje, po mua më bindi përvoja dhe përjetimi im. Dhe do ta vazhdojë këtë mënyrë, pa përjashtuar auditorët më të gjerë. I tillë ishte takimi me nxënësit dhe mësuesit e shkollës së mesme, “Myslim Keta”, jo më larg se dje. Pata me ta një takim më shumë se mbresëlënës. Një bisedë të gjerë rreth krijimtarisë sime që, për kënaqësinë time, por dhe për befasinë, pse ta fsheh, e njihnin dhe kishin lexuar nga librat e mi, (diskutuam gjerë për romanin “Gruaja me të Zeza”, 2015, dhe ndokush citoi fragment përmendësh). Lumturi për mua  si autore. Pastaj u ndalëm të botimi i ri, te novella, prej së cilës lexova një fragment.  Ishte një orë e mrekullueshme takimi e biseda me ta, apo si mund ta themi ndryshe, për t’u mbajtur mend, krahas dy takimeve të mëparshme te librari “Agolli”.

vojsava-nelo3

Keni pasur sukses me poezitë dhe romanin. Përse këtë herë zgjodhët novelën?

Novela…?  Nuk është se e zgjodha, edhe pse e kam dashur dhe e dua si gjini. Mjafton të lexosh Cvajgun dhe nuk mund të mos dashurohesh, të mos intrigohesh, por… jo gjithmonë je e gatshme. Jo gjithmonë ke talentin e mjaftueshëm, subjektin që i shkon për shtat kësaj gjinie. Po me sa duket erdhi momenti, natyrshëm , me “vorbullat e mistereve”, si një gjini që i shkonte për shtat subjektit që unë kisha ngjizur në shpirtin e në mendjen time.  Novela, kjo gjini e bukur, ishte shtrati i duhur për të shtrirë rrëfimin tim “Nëpër vorbullat e mistereve”

Çdo autor ka një vepër që e cilëson më të mirën e krijimtarisë së tij. Cila është vepra që konsideroni më të mirën?

Si të them?! Është një pyetje e vështirë. Po le të themi libri i parë “Kur çelin ëndrrat”, poezi, botuar nga SHB “N.Frashëri” 1977, është më i dashuri, (më e mira nuk e di), sepse ishte krijesa ime e parë. Ajo erdhi e bukur dhe fatsjellëse. U mirëprit nga lexuesi e u përshëndet nga kritika e kohës. Më bëri anëtare të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, duke më hapur rrugën e gjatë të krijimit letrar. Dhe për të mos i ikur pyetjes suaj, po përpiqem të sjell këtë çast ndërmend reagimet e lexuesve për librat e mi, mendimet e tyre, të studiuesve, kolegëve, (jo atyre xhelozë, ziliqarë, nihilistë). Në poezi fillimisht. Ca thonë më i bukuri është libri “Mbretëroj”, 1995. Ca thonë libri “Gërsheti i prerë”, 2010. Me këta të fundit bashkohem dhe unë, duke mbajtur pranë shpirtit të gjitha krijesat e mia, më të mirat dhe me dobësitë e tyre.

Në prozë: ca thonë romani “Vajza e gjysmës së diellit”. Ca thonë, “Gruaja me të zeza”. Po unë kam frikë nga “Gruaja me të zeza”, e i iki, e qëndroj më mirë tek  “Vajza e gjysmës së diellit”. Për të, shpesh, u them fëmijëve të mi të shtrenjtë, Gentit dhe Artemidës: -“Mos harroni fëmijët e mi, keni dhe një thesar aty; apo vetes në çaste kritike. – Mos harro Vojsava, ke dhe një vajzë tjetër të mrekullueshme, një thesar ke, ke “Vajzën e gjysmës së diellit”.

Ne krijimet tuaja zë vend të rëndësishëm vendlindja. Mendoni se krijimtaria është ripërjetim i emocioneve të para në fëmijëri, por të transformuara më pas në forma të ndryshme me dijet e përfituara gjatë jetës?

 Po, është e vërtetë, Delvina, vendlindja ime, zë një vend të rëndësishëm në krijimtarinë time; njerëzit, legjendat, besëtytnitë, këngët, vajet, sazet e famshme, meloditë e shumta që më ndjekin ngado, janë burimi im i frymëzimit, relievi ku lëviz muza ime; përjetimet, mallet, shpërthimet artistike. Në të gjithë krijimtarinë time regëtin pulsi, ritmi; rreh zemra e qytetit tim. Ka një magji ai qytet, ata njerëz. Është një qytet jashtëzakonshëm Delvina, me histori, kulturë, tradita,me bukuri natyrore të jashtëzakonshme.  Aty  qëndroj unë. Aty janë rrënjët e mia  “Te rrënjët e tua” , – thotë nobelisti grek, Seferis.

  Është një pyetje standarde për krijuesit,  por që në shoqërinë ku jetojmë, në botën teknologjike, të dhënë pas parasë dhe vesit, me lexues që pakësohen dhe individë të zhveshur nga sentimentet dhe mendimi bëhet më e domosdoshme: Përse shkruan letërsi?

Shkruaj, sepse nuk mund të mos shkruaj.

Kam filluar të shkruaj qysh kur ende nuk dija mirë se çfarë po bëja dhe pse, adoleshente, po thjesht e bëja, si një gjë gati instiktive, lindur bashkë me mua e që me siguri do të vdesë bashkë me mua. Shkruaj, sepse orët e krijimit letrar në tavolinën time të punës gjithmonë e më shumë janë orët e mia më të lumtura. Të shkruajturit, poezitë, librat, romanet më kanë pasuruar jetën, shpirtin; më kanë dhënë miq të tillë, pa të cilët, nuk di si do t’ia kisha dalë.

Është kaq e vështirë ndonjëherë, kaq e lodhshme kjo jetë, me apo pa internet! Shkruaj sepse kështu jetoj. Shkruaj sepse shpesh kjo më ndihmon t’u iki problemeve që nuk arrij t’i zgjidh dot. T’u iki keqbërësve, me të cilët nuk dua të përzihem, të merrem. Shkruaj t’u iki dramave të mia, vetmive, trishtimeve, situatave kritike, që, kur rri e i mendoj, them me vete se, nëse nuk do të merrja penën e të ikja me trillet e mia, me personazhet, subjektet, nuk di se çfarë do të ishte bërë me mua. Ndoshta…, ndoshta… Gjithçka mund të ndodhë. Po unë shkruaj…

Dhe, kur vuaj e shkruaj, kur gëzoj e shkruaj, kur fluturoj e shkruaj, kur lotoj e shkruaj, bëj poezinë time; të sotmen, të djeshmen, të ardhmen time”.

 Cili është krijimi i radhës që pret ditën e botimi?

Botimi i ardhshëm, i vitit 2017, që shënon dhe vitin e dyzetë të botimit të librit tim të parë, do të jetë një libër me poezi. Ai titullohet  “Muzgjet e Bostonit”.

JETËSHKRIMI/ Kush është Vojsava Nelo

vojsava-nelo

 Vojsava Nelo u lind në Delvinë, ku nisin fillimet letrare të saj. Që në adoleshencë publikoi krijimet e para në revistat e kohës. Në vitet universitare botoi librin e parë, “Kur çelin ëndrrat”, poezi, i cili u mirëprit nga kritika, duke i hapur rrugën e gjatë të krijimit letrar. Në vitin 1977 u pranua anëtare e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Krijimtaria e saj letrare-artistike është tejet e pasur, ku një vend të madh zënë librat me poezi si: “Mbretëroj”, 1995, “Idil në dy akte”, 1997, “Benvenuta Artemida”, (shqip-italisht, 2001), “Tretur tek puthja”, (lirika për dashurinë), 2004, “Gërsheti i prerë“, 2010.

Gjithashtu ka botuar suksesshëm romanet, “Mikesha e yjeve”, 1999, “Vajza e gjysmës së diellit” 2002, “Të fshehtat e mikeve të mia” (Njëzetë e një ngjarje në një) 2007, “Gruaja me të Zeza”, 2015, “Nëpër vorbullat e mistereve”, novelë, 2016.

Me një krijimtari paralele si në prozë ashtu dhe në poezi, vepra e saj shquan për humanizmin e gjerë, sinqeritetin, begatinë e ndjenjës dhe poetikën e fjalës. Sidomos në romanet e saj realizohet një arkeologji e thellë dhe e gjithanshme e shpirtit të trazuar të bashkëkohësit shqiptar, duke ecur në gjurmët e traditës më të mirë të shkrimtarisë sonë, duke pasur gjithmonë në qendër njeriun me tërë kompleksitetin dhe zhvillimet shpirtërore të tij. Ajo fokusohet në mënyrë të veçantë te metamorfozat dhe dilemat e forta të qenies; tek udhëkryqet dramatike në të cilat gjendet njeriu shqiptar, dukuri, të cilat shkrimtarja i kundron të lidhura fort me zhvillimet politike dhe shoqërore. Në këtë mënyrë, vepra e shkrimtares së njohur, fiton edhe një theks të dukshëm qytetar.  Një tjetër përmasë e rëndësishme e krijimtarisë së Vojsava Nelos, është dhe poetizimi i së bukurës dhe të dlirtës. E joshur përjetësisht ndaj qiellores dhe fluides, veçanërisht në poezi, autorja ndërton një univers letrar tërë dritë dhe harmoni. Ky peizazh letrar që sundon në poezinë e poetes shkon përshtat edhe me atë joie de vivre të bollshme që hijeshon portretin e saj njerëzor. Me interes është të nënvizojmë se krijimtaria e Vojsava Nelos ka për shtrat gjeneze qytetin e saj, Delvinën, një lokalitet ky i bukur dhe i pasur i vendit tonë. Është kjo pasuri historike, njerëzore dhe natyrore muza e vërtetë e shkrimtares; janë historitë njerëzore të qytetit, fatet dhe dramat e tyre që lëvizin të transfiguruara në art nëpër faqet i librave të Vojsavës. Në të gjithë krijimtarinë e saj regëtin pulsi, ritmi; rreh zemra e qytetit të saj. Është një rast unikal, do të thoshim, në të cilin gjenden në një simbiozë të plotë qyteti i lindjes, shkrimtari dhe krijimtaria letrare.

Vojsava Nelo ka marrë pjesë në disa takime poetike kombëtare, ballkanike e ndërkombëtare, duke u përfshirë në antologjitë përkatëse. Është ndër ata autorë që mban lidhje intensive me lexuesin e saj, brenda dhe jashtë vendit. Krijimtaria e saj është vlerësuar me çmime të rëndësishme si, çmimi i dytë  “Për botimet më të mira të vitit”,  në gazetën, Drita, 1977; çmimi “ASDRENI” në Netët Korçare të Poezisë, 2010 etj.

Ajo mban titullin, “QYTETARE NDERI”, dhënë nga Këshilli i Bashkisë së qytetit të Delvinës.  Sot, shkrimtarja Vojsava Nelo është një zë origjinal i letërsisë shqipe si në poezi, ashtu dhe në prozë.

Rezymeja e novelës/“NËPËR VORBULLAT E MISTEREVE”

vojsava-nelo-libri

Zonat e errëta të qenies, që përbëjnë shqetësim krijues të gjithhershëm të shkrimtares Vojsava Nelo, në novelën “Nëpër vorbullat e mistereve” vizatohen me penelata shumë më të forta se herë tjetër. Shkrimtarja formulon artistikisht disa pyetje kapitale tronditëse për njeriun dhe ekzistencën e tij. Rrëfimi, në novelë, ndjek itinerare të subkoshiencës njerëzore që dëshmojnë për bashkëjetesën e kufijve ekstremë brenda nesh. Ankthe, dilema dhe përsiatje filozofike ekzistencialiste dhe psiko-analitike qëndrojnë dhe ngjeshën pranë njëra-tjetrës në një shtrat rrëfimor tepër të ngushtë, por me një regjistër ritmik intensiv. Personazhet, për të cilët rrëfehet në novelë, janë një akuzë e fortë për cilindo që manifeston akte imoraliteti, perversiteti, tradhtie apo abuzimi. Duke alternuar rrëfimin në vetën e tretë me atë të vetës së parë, autorja e shpall kredon e vet krijuese: ajo kërkon ndryshimin e fizionomisë morale të njeriut, po në atë nivel sa edhe e lë të lirë lexuesin të mbajë qëndrimin e vet. Krijimi i skenave intriguese dhe impulset e forta, që të shoqërojnë në pjesët më të errëta dhe të mistershme të ndërgjegjes dhe shpirtit njerëzor, e bëjnë novelën një vepër interesante dhe tronditëse.

Intervistoi: Qamil Xhani

SHKARKO APP