Von Der Leyen: Të mbajmë afër Ballkanin ose do ta bëjnë të tjerët
”Bashkimi Europian të mbajë pranë vetes Ballkanin Perëndimor, ose shtete të tjera do të përfitojnë”. Ishte ky paralajmërimi serioz i lëshuar nga Presidentja e zgjedhur e Komisionit Europian, Ursula Von Der Leyen, pas bisedimeve me kancelaren gjermane, Angela Merkel. Ajo tha se mbështet plotësisht qëndrimin e Berlinit pro zgjerimit të BE-së, ndërsa e konsideroi me domethënie të rëndësishme strategjike mbajtjen afër të vendeve të Ballkanit Perëndimor, për aq kohë sa nuk do të hapen negociatat e anëtarësimit. ”Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë bërë përpjekje të mëdha për të arritur në këtë pikë të kërkuar nga ne. Do të fokusoj të gjitha përpjekjet e mia në projekte të përbashkëta që fuqizojnë rrugën e bashkëpunimit të ngushtë me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe kështu t’i afrojmë këto shtete me ne. Nëse ne nuk e bëjmë këtë, të tjerë do ta bëjnë”.