Von der Leyen: Test dhe karantinë në udhëtim, për të mbajtur kufijtë hapur
“Në mënyrë që të mbajmë kufijtë tanë të brendshëm dhe të jashtëm të hapur, ne kemi nevojë për masa të shtuara që na mbajnë të sigurt. Ne duhet të ripërcaktojmë hartën tonë për të identifikuar zonat me rrezik të lartë të cilat do të cilësohen si zona të kuqe. Personave që vijnë nga zonat e kuqe mund t’ju kërkohet një test para nisjes dhe karantinë pas mbërritjes ne rast udhetimi. Të gjitha udhëtimet jo te rëndësishme duhet të evitohen”, kështu tha presidentja e Komisionit të BE, Ursula von der Leyen, në fund të videokonferencës së liderëve të BE.
Bashkimi Evropian “është një zonë unike epidemiologjike”, vazhdoi von der Leyen. “Ne do të jemi në gjendje të përballemi me virusin dhe variantet e tij “vetëm nëse ka masa të shtuara dhe jo mbyllje totale të kufijve, gjë që do të ndikonte në tregun tonë të brendshëm”, u shpreh ajo.
Ndërsa përsëriti nevojën për të “lënë kufijtë e brendshëm të BE-së të hapur për të mirën e tregut të brendshëm”, Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel shtoi se përballë varianteve të Covid, “mund të parashikohen kufizime në udhëtimet jo-thelbësore”.
Sa i përket hipotezës së pasaportave mjekësore për udhëtime, von der Leyen shpjegoi se ka disa gjëra që duhet të sqarohen. Sipas saj është ndryshe të kesh një dokumentacion të thjeshtë që është i një natyre mjekësore, ndërkohë që duhet të merren parasysh të tjera komplikime që lindin nga kjo çertifikatë dhe që lidhen edhe me respektimin e të drejtave dhe të dhënave personale të individëve.
“Kur të jetë koha e duhur do të na duhet një diskutim i gjerë midis vendeve anëtare mbi përdorimet e mundshme të certifikatës,” shtoi ajo.
Michel deklaroi se “vetëm në një fazë të mëvonshme do të jemi në gjendje të shohim nëse dhe në cilat rrethana mund të përdoren çertifikatat e vaksinës. Ne jemi jashtëzakonisht të kujdesshëm për këtë çështje. ”
“Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, së bashku me kancelarin austriak Sebastian Kurz dhe kryeministrin danez, Mette Frederiksen, ngritën çështjen e nevojës për të përshpejtuar licencimin e vaksinave kandidate që janë në fazën përfundimtare të vlerësimit nga Agjencia Evropiane e Barnave (Ema), siç është ajo e Universitetit të Oksfordit dhe AstraZeneca”. Lexohet një shënim nga delegacioni grek.
Mitsotakis sqaroi se iniciativa nuk synon ushtrimin e presionit politik mbi EMA, por kapërcimin e procedurave burokratike, të cilat vonojnë vendimet bazuar në të dhëna të prekshme shkencore.
“Kryeministri grek nënvizoi gjithashtu nevojën për të respektuar plotësisht dërgesat e planifikuara dhe të rëna dakord me kompanitë farmaceutike për tremujorin e parë të këtij viti, duke nënvizuar se në luftën kundër Covid nuk ka kohë për të humbur”, citon Ansa.
“Unë pres që vaksina e AstraZeneca të miratohet më së voni javën e ardhshme,” shkroi kancelari austriak Sebastian Kurz. “Të gjithë ranë dakord që vaksinat të jepen sa më shpejt të jetë e mundur,” shtoi ai.
Shtetet anëtare të BE-së gjithashtu miratuan njëzëri një rekomandim të Këshillit që krijon një kornizë të përbashkët për përdorimin e testeve të shpejta të antigjenit dhe njohjen reciproke të rezultateve të testit Covid-19 në të gjithë Bashkimin Evropian.
Ishte një mjet qendror për të ndihmuar në zbutjen e përhapjes së virusit dhe për të kontribuar në funksionimin e mirë të tregut të brendshëm. Ky rekomandimi i Këshillit ishte referuar përmes një procedure të shkruar dhe jo përmes videokonferencës së liderëve të BE-së.