Vonesat për dozat e reja të vaksinës Sinovac, Bino: Nuk shkakton probleme për qytetarët, rrit antitrupat

Për vonesat e dozave të dyta të vaksinën kineze, Sinovac, shefja e Departamentit të Epidemiologjisë, Silva Bino, thotë se dozat nuk kanë mbaruar, por janë të pamjaftueshme për të kryer vaksinimin e të gjithë qytetarëve që kanë marrë tashmë dozën e parë.

Sipas Binos strategjia e ndjekur është vaksinimi i sa më shumë qytetarëve me dozën e parë, duke theksuar se shtyrja e marrjes së dozës së dytë, jo vetëm që nuk përbën problem për qytetarët, por rrit edhe antitrupat.

“Deri më tani në vend janë kryer më tepër se 680 mijë vaksinime, me 4 llojet e vaksinave. Sa i përket dozave të vaksinave kineze, ka një sasi më të pakët momentalisht që nuk mjaftojnë për të kryer vaksinimin e të gjithë qytetarëve që kanë marrë vaksinën kineze. Dozat e radhës priten brenda fundjavës sipas kalendarit të publikuar dhe do të nisë me ritme më të shpejta vaksinimi me dozat e para dhe po ashtu do të nisë edhe vaksinimi me dozat e dyta. Minimalja për ta marrë dozën e dytë të vaksinës kineze është një muaj, nuk duhet marrë më parë dhe ka një tolerancë në ditë, pra nuk është problem nëse merret edhe më mbrapa”,-tha për ”Report Tv.

Për më tepër Bino thekson se shtyrja e dozës së dytë rrit edhe më tepër antitrupat. Duke pranuar një përmirësim të situatës me pandeminë në vendin tonë, Bino tha se ulja e rasteve të reja nuk duhet të na vërë në gjumë. Sipas saj, nevojë emergjente është gjurmimi dhe izolimi i rasteve të reja, që të mos bëhen shkak për shpërthime epidemike.

SHKARKO APP