Vorbat unike të Gojanit të Shqipërisë – zanati që mbahet gjallë nga babë e bir
Shkëlzen Biba nga fshati Gojan i Pukës në veri të Shqipërisë ka dy diploma në xhep, por preferon që pjesën më të madhe të kohës t’i kthehet pasionit me të cilin është rritur: bërjes së vorbave.
Prej shumë vitesh, Gojani njihet për vorbat e tij të veçanta, por nëse para viteve ’90 gjysma e fshatit e ushtronte këtë zanat, sot e mban gjallë vetëm familja e 38-vjeçarit.
Shkëlzeni është diplomuar për Informatikë dhe një tjetër diplomë e ka për Edukim Fizik. Ai është mësues në shkollën e mesme të fshatit të tij të lindjes.
Sapo mbaron orarin që i kushton edukimit të fëmijëve, ai përvesh mëngët për ta gjetur baltën, për ta përpunuar dhe për të krijuar me të enë të ndryshme.
“Që fëmijë i vogël fare kam pasur interes për vorbat. Jam rritur me to. Me atë kuriozitetin e fëmijës shihja gjithçka dhe më pëlqenin aq shumë – që nga mënyra se si sigurohej balta, si bluhej, si ngjishej, si piqeshin enët… Jam ushqyer me ato enë”, thotë Shkëlzeni.
Fillimisht tregon se ndihmonte babanë dhe gjyshin, e më pas i mësoi edhe vetë të gjitha proceset.
“Nuk mbahen mend brezat e familjes që e kanë nisur prodhimin e këtyre enëve. Gjyshi më thoshte se nga ato që ka dëgjuar ai, paraardhësit e tij kanë thënë se vorbat e Gojanit janë shpikur që në kohën e Skënderbeut, ndërsa nga të tjerë pleq të urtë të fisit ka dëgjuar se janë shpikur që në kohën e bronzit. Mirëpo, këto nuk janë gojëdhëna, sepse të njëjtën gjë ma ka konfirmuar edhe arkeologu i njohur, Neritan Ceka”, thotë Shkëlzeni.
“Ajo që unë di, është se vetë jam brezi i tretë që kam parë t’i prodhojmë… Pra, kam parë gjyshin, babanë dhe prej dhjetë vjetësh e zotëroj edhe unë gjithë teknikën”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.
Edhe pse me dy diploma master, kjo nuk e ka nxitur aspak që t’i largohet baltës. E, çdo ditë e më shumë thotë se bindet që ka bërë zgjedhjen e duhur.
Familja Biba – e vetmja që vazhdon traditën në fshat
Jo pa dhimbje Shkëlzeni tregon se Gojani, ndër vite, thuajse është boshatisur.
Ai thotë se para viteve ’90, në këtë fshat kanë jetuar rreth 3.500 banorë, ndërsa sot numri ka rënë në 250-300 banorë.
Disa janë zhvendosur drejt qyteteve të afërta si Rrësheni apo Laçi, të tjerë drejt Tiranës dhe Durrësit, por shumë kanë emigruar edhe jashtë Shqipërisë.
“Duke qenë se vorbat kanë qenë traditë e fshatit tonë, thuajse gjysma e banorëve i prodhonte këto enë balte. Të moshuarit që e njohin si zanat, nuk e ushtrojnë dot për shkak të moshës, sepse kërkon forcë fizike nxjerrja e baltës dhe përpunimi i saj”, thotë 38-vjeçari.
“Pastaj, shumë prej banorëve u larguan, e ata që mbetën, duket se nuk e kishin durimin që kërkon një proces i tillë, dhe ishin në kërkim të një pune që mund t’u sillte të ardhura më shpejt”, shton ai.
Babai i Shkëlzenit, Lekë Biba, thotë se për asnjë arsye nuk do ta braktiste këtë zanat.
“Me këtë baltë jemi ushqyer. Në këto enë, jo thjesht kemi ngrënë, por kemi siguruar të ardhura”, thotë Leka, duke treguar se me to, ka shkolluar edhe pesë fëmijët e tij.
“Kështu që nuk kam përse ta lë derisa të kem forcë. Punoj bashkë me djalin. Ai ia ka marrë dorën shumë mirë. Do ta vazhdoj këtë traditë të familjes”, thotë me bindje Leka.
‘Bota’ – balta e veçantë e Gojanit
Babë e bir e theksojnë shpesh se vorbat e tyre janë unike.
Të veçanta thonë se i bën balta me të cilën i krijojnë. E kjo baltë e veçantë quhet ‘botë’.
“Emrin ia kanë vënë rreth 400 vjet përpara. Një banor i fshatit doli në mal, gjeti baltën dhe përgatiti enën. Dhe u quajt ‘botë’, sepse ishte bota për ta në atë kohë, gjetën zgjidhje… Por, bota është edhe për ne sot”, thotë Leka.
Dy herë në vit, babë e bir bëjnë rreth dy orë rrugë në këmbë, për ta nxjerrë ‘botën’ që u duhet për t’i prodhuar vorbat.
“Ajo nuk është dhe apo baltë e thjeshtë, është një lloj guri, por i shkriftë, copëtohet me duar. E gjejmë në dy variante, të kuqe dhe të bardhë. Duhet gërmuar për ta nxjerrë. Dhe nëse e sheh kur e copëton në duar, lë disa xixa”, shpjegon Shkëlzeni.
“Ne e njohim shumë mirë dhe e përzgjedhim atë që është më e mira për këtë zanat”, thotë ai.
“Botën”, ata e transportojnë me kafshë drejt banesës së tyre, një pjesë e së cilës është kthyer në punishte, ku vijnë porosi nga brenda dhe jashtë Shqipërisë.
Dymbëdhjetë procese që nga nxjerrja e baltës deri te pjekja
Nxjerrja e gurëve në mal është vetëm hapi i parë i procesit, që vijon me tharjen e tyre, e më pas pastrimin nga lëndë apo materiale që duhen hequr.
Për t’i bërë vorbat duhet përzierja e dy gurëve – të kuqit dhe të bardhit. Pasi të thahen dhe pastrohen, bëhet bluarja e tyre.Para viteve ’90, Shkëlzeni thotë se kjo bëhej me forcën e krahut, duke i rrahur me çekiç gurët në një lug prej druri, ndërsa sot bëhet përmes një makinerie, që ai thotë se e ka ndërtuar vetë.
Më pas, balta ‘mbruhet’ apo përgatitet si brumë, duke e ngjeshur me këmbë dheun e përzier me ujë.
Kjo pjesë e këtij procesi u ngjan valleve të veriut të Shqipërisë, ku burrat i mbajnë duart të lidhura pas shpine në pjesën e belit dhe sillen rreth baltës duke e shtypur vetëm me njërën këmbë.Sa më gjatë të bëhet ‘mbrujtja’, aq më mirë është. Dhe më pas përgatitet ena.
“Dikur vorbat kanë qenë të thjeshta, ndërsa sot kërkojnë më shumë kohë, sepse janë shtuar vegjët, kapaku… Shpesh kërkojnë dhe mbajtëse për vorbën në tavolinë”, thotë poçari i ri.
Proceset më interesante dhe unike janë pjekja e enës dhe “ushtimi”.
“Pjekja bëhet në temperaturë 1200 gradë. Ena, pasi është tharë, mbulohet me drurë, të cilëve u vihet flaka. Pra, nuk futen në një furrë me prush siç ndodh në zona të tjera”, thotë Shkëlzeni.
“Më pas, ne i fusim në kazanë të mëdhenj, ku kemi shkrirë yndyrë kafshe. Asnjë lloj balte tjetër nuk e pranon këtë lloj teknike dhe asnjë enë balte tjetër nuk i reziston kaq shumë temperaturës si enët tona. Dhe kjo falë ‘botës’ dhe teknikave”, sipas tij.
Në atë yndyrë të nxehtë, thotë ai, futet pastaj ena, e cila merr edhe ngjyrën karakteristike të zezë, që kanë vorbat e tij.
“Pikërisht këto procese e bëjnë unike vorbën e Gojanit”, thotë Shkëlzeni, duke shtuar se familja e tij prodhon rreth 100 lloje vorbash, tavash apo enësh të tjera.
Vorbat e Gojanit deri në Australi
Pasioni dhe puna e vështirë kësaj familjeje i janë shpërblyer, sepse porositë sa vijnë e i shtohen.
Shkëlzeni thotë se një numër i madh i bujtinave dhe restoranteve me gatime tradicionale, shërbejnë vetëm me vorbat dhe enët e tjera që prodhon ai së bashku me të atin.
“Shija që i jep ushqimit gatimi me vorbë, e bën këtë produkt mjaft të kërkuar. Tregun kryesisht e kemi në Shqipëri dhe Kosovë. Por, kemi mjaft kërkesa edhe nga emigrantët shqiptarë në vende të ndryshme si: Itali, Austri, SHBA dhe deri në Australi”, thotë Shkëlzeni.
“I kërkojnë aq larg, sepse atje jetojnë ende qytetarë shqiptarë që u përkasin brezave të kaluar, kur gatimi bëhej vetëm me enë balte, dhe kanë nostalgji”, thotë 38-vjeçari, që krenohet me teknikat e veçanta me të cilat ai dhe i ati bëjnë vorbat, e që, sipas tij, nuk kanë të dytë në Shqipëri.
Prej një viti ai thotë se ka hapur një punishte të dytë pranë Tiranës, por, sërish, materiali me të cilin punon, vjen nga fshati i tij i lindjes, Gojani.
Sakrificat për të mbajtur gjallë zanatin pa mbështetje nga shteti
Shkëlzeni kishte një këmbëngulje të madhe për ta trashëguar dhe mbajtur gjallë këtë zanat.
Ai thotë se kjo nuk ka qenë aspak e lehtë për të. I është dashur të bëjë përpjekje të mëdha për t’i ndjekur studimet apo për të dhënë mësim, e njëkohësisht ta ndihmonte edhe babanë në traditën shekullore të familjes.
Pavarësisht sakrificave thotë se ia ka vlejtur, por shprehet i zhgënjyer që nuk ka pasur asnjë mbështetje nga institucionet.
“Asnjë qindarkë, asnjë mbështetje nuk kemi pasur nga shteti, as grante, asgjë… Thuajse jam armik i shtetit, apo i organizatave… E jo të vlerësohem që po mbaj gjallë një traditë kaq të lashtë”, thotë Shkëlzeni.
“Mendoj se sikur të isha në një shtet tjetër, me këtë punë të rrallë, unike, do të trajtohesha ndryshe, sepse është zanat i rrallë, në zhdukje”, shprehet ai.
Shkëlzeni i vlerëson panairet e ndryshme që organizohen nga shteti dhe që u japin mundësi artizanëve si ai ta pasqyrojnë aktivitetin e tyre dhe të krijojnë bashkëpunime.
Ai thotë se nuk e dekurajon asgjë, por se, përkundrazi, përpiqet që këtë pasion ta pasurojë edhe më tej, duke punuar me baltë jo vetëm enë, por edhe duke gdhendur portrete apo duke risjellë modele të skulpturave mijëravjeçare – gjithmonë me baltën dhe teknikën e Gojanit.
Jetmira Delia-Kaci është gazetare e Radios Evropa e Lirë në Tiranë.