Vota e emigrantëve, Biba: Politika ia la KQZ me një rresht, Ristani: Jo e pamundur nëse ka vullnet

Koha e kufizuar por dhe ngarkesa me detyra të reja të KQZ-së së riformatuar nuk e pamundëson votën e shtetasve shqiptarë për zgjedhjet e 2021.

Nënkryetari i KQZ-së, Denar Biba e konsideron një sfidë që mund të përmbushet nëse ka mbështetje politike.

“Më duket e vështirë por jo domosdoshmërish e pamundur nëse në këtë mision,  KQZ do të ketë mbështetjen të  gjithë politikës shqiptare”, shprehe ai.

Edhe ish-kryetari i KQZ, Arben Ristani e thekson fortë besimin që duhet të ketë politika.

“Kur ka vullnet  të mirë, zgjedhjet bëhen me një copë letër e laps. Emigrantët shqiptarë janë zgjedhës me të drejtë vote të vinë e të votojnë në qendrën e tyre të votimit, aty ku kanë gjendjen e vetë civile”, shprehet ai.

Sigurimi i votës se emigrantëve do të jetë një sporvë e re për anëtarët që do e përbëjnë KQZ e re.

“Politika ia la KQZ me një resht. KQZ ka përpara tij një punë të jashtëzakonshme që nga identifikimi I mënyrës si do të ndodh kjo, disa prej tyre mund të kenë edhe të domosdoshme ndryshime Kushtetuese. Të gjitha këto janë vendimmarrje që duhet ti bëj ai rregullatori (5 anëtarët e KQZ së re) I ardhshëm. Ua qaj hallin! Sinqerisht, nuk do të doja të isha në pozitën dhe në shpatullat e tyre të brishta për këtë mision të jashtëzakonshëm”,  tha Denar Biba.

Posta është propozuar nga Partia Socialiste përmes së cilës mund të votohet por eksperienca e huaj ofron edhe mënyra të tjera të sigurta.

“Praktikat ndërkombëtare janë të gjitha llojeve, duke filluar nga Estonia që votojnë nëpërmjet celularit, deri tek praktikat e tjera, si votimi përmes postës. Mund të krijohet zonë zgjedhore më vetë për emigrantët. Duhet të regjistrohen sigurisht, përpara se të marrin fletën e votimit”, u shpreh Ristani.

Vota e emigrantëve është premtuar jo pak herë deri më tani dhe nuk është realizuar. Ndërkohë janë më shumë 1.64 milionë shqiptarë që jetojnë jashtë vendit./abcnews.al

SHKARKO APP