Vota e emigrantëve/ Lapaj: Fleta e votimit të jetë me ngjyrë të ndryshme. Të ngrihet Strukturë e Posaçme me 5 anëtarë
Kreu i ”Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj i pranishëm në Komisionin e Ligjeve, duke folur për Reformën Zgjedhore, tha se vota e emigrantëve duhet të bëhet realitet. Lapaj theksoi se fleta e votimit për diasporën duhet të jetë e njëjtë në format me fletën e votimit brenda vendit, duke shtuar se duhet të ndryshojë vetëm ngjyra, me qëllim që mos të bëhen manipulime. Ai tha se për votën e diasporës duhet të ngrihet një strukturë e posaçme me 5 anëtarë, nga institucione të pavarura.
”Fleta e votimit për votuesit në diasporë të ketë format të njëjtë, por duhet të jetë me ngjyrë ndryshe nga fleta e votimit brenda vendit. Kjo do bënte që fletët të mos silleshin në Shqipëri e të mos keqpërdoreshin.
Ata që presin zarfet postare duhet që të jetë një strukturë e posaçme me 5 anëtarë, anëtarë që përcaktohen me short nga institucione të pavarura.
Tek drafti duhet të lihet dhe opsioni i referendumit. Tek drafti i propozuar nuk parashikohen zgjedhjet e parakohshme. Ne kemi propozuar që listat të jenë të hapura. Unë do propozoja, që bëjeni siç e keni parashikuar (1/3 e listës e mbyllur dhe 2/3 e hapur), por lëreni opsionale. Kjo adreson të gjithë shtresat e shoqërisë”,-tha Lapaj.