Votimi elektronik, Pelinku: Proces i sigurt, shkelja e votuesve do të identifikohet

E ftuar në studion e Rtv Ora nën-komisionerja e KQZ, Lealba Pelinku ka folur për mënyrën e re të identifikimit dhe votimin elektronik të zgjedhësve në zgjedhjet e 25 prillit.

Ajo u shpreh se do të jetë një proces transparent dhe i sigurt, ndërkohë që shtoi se asnjë zgjedhës nuk do të mundet të shkelë ligjin duke votuar dy herë në dy qendra të ndryshme apo duke votuar për persona që nuk janë të pranishëm.

Pyetje: Ju pamë dy ditë më parë, në demonstrimin e votimit elektronik. Çfarë pikëpyetjesh janë zgjidhur në këtë drejtim, e kam fjalën për zonë  ku do të pilotohet dhe çfarë mbetet ende për t’u zgjidhur?

Lealba Pelinku“Duke pasur parasysh ndryshimet e Kodit Zgjedhor, identifikimi elektronik tashmë është një detyrim për t’u implementuar te 100% e zgjedhësve. Pasi KQZ kreu procedurat që lidheshin me identifikimin e kompanisë fituese dhe pas lidhjes së kontratës jemi në fazën e implementimit të projektit.

Pajisja mundëson shmangien e problematikave që janë hasur në zgjedhjet e mëparshme, si votimi i shumëfishtë apo votimi familjar apo në emër të të tjerëve.”

PyetjeBeson se zgjidh shumë probleme teknologjia pasi ka dhe debate nëse është mënyra më e mirë për të votuar ose jo. Sa efektive do të jetë kjo formë e re?

Lealba Pelinku:“Në fakt duke pasur parasysh problemet që janë ngritur në zgjedhjet e mëparshme votimi i shumëfishtë e kemi parë të gjithë, me përdorimin e kartave të personave që nuk kanë qenë të pranishëm të përdorur nga individë të tjerë, votimi familjar e kështu me radhë.

Teknologjia e përzgjedhur i vjen në ndihmë shmangies së këtij problemi. Lidhur me problematikat që ngrihen në nivel ndërkombëtar, dyshimet që ngrihen në lidhje me hapësirën që mund të ketë teknologjia për të kompromentuar rezultatin e zgjedhjeve, në rastin konkret është bërë një përzgjedhje e një sistemi offline. Sistemi nuk do të jetë i lidhur me asnjë mjet komunikimi, pas përfundimit të procesit të votimit të gjitha të dhënat do të mblidhen në sistemin që do të jetë i menaxhuar nga KQZ. Ky problem në rastin tonë bie.”

Pyetje: U vendos se në çfarë zone do të bëhet pilotimi? U fol për njësinë nr.8.

Lealba Pelinku:“Duhet bërë një saktësim sepse teknologjia në zgjedhje parashikon dy momente: atë të identifikimit dhe atë të votimit. Ka një propozim për tu implementuar në një ZAZ të Tiranës por mbetet për tu vendosur nëse do të jetë njësia 8.”

Pyetje: Përsa i përket anës teknologjike kur të bëhet votimi dhe numërimi elektronik beson se mund të ketë kategori të caktuara që mund ta kenë të vështirë ta aksesojnë sistemin?

Lealba Pelinku: “Në fakt ka qenë kërkesë edhe e KQZ që të ishte një sistem shumë bazik, lehtësisht i përdorshëm edhe për individë që kane njohuri mesatare të teknologjisë. Në funksion të kësaj është parashikuar edhe një fushatë intensive trajnimi në nivele të ndryshme në mënyrë që të gjithë të kenë mundësi ta përdorin sistemin.”

Pyetje: Si garantohet mundësia që mos ketë një votim në dy qendra të ndryshme?

Lealba Pelinku:“Pajisja në çdo qendër votimi do të përmbajë listë e të gjithë zgjedhësve në të gjithë territorin e Shqipërisë. Në momentin e aktivizimit të pajisjes specifike në atë qendër votimi do bëhet i mundur ekstratimi i listës së asaj qendre votimi. Rrjedhimisht komisioni i qendrës së votimit ka mundësi të verifikojë që zgjedhësi që paraqitet, pasi të jetë bërë leximi i kartës së identitetit të verifikojë nëse i takon asaj qendre votimi. Nëse kjo ndodh do të marrë fletën e votimit.

Pajisja përmban edhe listën e të gjithë zgjedhësve. Në momentin që gabimisht zgjedhësi paraqitet në qendrën x por i takon një qendre tjetër pajisja e pamundëson votimin e atij individi. Zgjedhësit do ti lëshohet një dokument i cili e orienton se tek cila qendër votimi do të paraqitet. Pra është e pamundur.

Element sigurie i shtuar që do të përbëjë një frenim të dukurive të jashtëligjshme që përmenda është edhe lënia e shenjës së gishtave. Pra do të bëhet identifikimi i atyre zgjedhësve që kanë votuar në dy qendra të ndryshme për arsye nga më të ndryshmet, me dashje, pa dashje. Shkelja identifikohet.”

SHKARKO APP