Votimi në kohë pandemie
Instituti i Shëndetit Publik ka miratuar një protokoll me masat anti-covid që duhet të ndiqen gjatë procesit zgjedhor dhe ditën e votimit si për votuesit, komisionerët dhe vëzhguesit, ku këta të fundit do të duhet të plotësojnë formular vetëdeklarimi për gjendjen shëndetësore dhe në rast të shfaqjes së simptomave duhet të qëndrojnë në shtëpi.
5199 qendrat e votimit sipas udhëzuesit rekomandohet të jenë në katin e parë të çdo ndërtese me sipërfaqe të bollshme e me ajrim. Ato duhet të jenë dezinfektuar një ditë para procesit të votimit si dhe përgjatë tij në intervale të caktuara. Të dashur votues, ndihmoni në parandalimin e përhapjes së Covid-19. Vendosni maskën mbrojtëse. Mos shtrëngoni duart. Ruani distancën 1.5 metra dhe dezinfektoni duart. Këto janë masat që do të vendosen në hyrje të çdo salle që do të votohet në 25 prill.
Të gjithë këto postera veç gjuhës shqipe janë përgatitur edhe në gjuhën e pakicave kombëtare për të qenë të qarta në ato zona zgjedhore. Veç shenjave dalluese për mbajtjen e maskës, distancës për të monitoruar respektimin e të gjitha masave anti-covid do të caktohet një punonjës zgjedhor.
Në sallën e votimit nuk do të lejohet prania e më shumë votuesve se sa numri i dhomave të fshehta për votim, si dhe shtohen plus dy persona që regjistrohen. Kutitë e votimit po kështu dhe dhomat e fshehta do të jenë në largësi të paktën 2 metra nga vendqëndrimi i anëtarëve të komisionit. Ndër të tjera qendra e votimit duhet të ketë hyrje dalje të veçanta për të mundësuar distancimin fizik të votuesve.