Votohen në Kuvend ministrat e rinj, por Mete mban ”peng” dy ministri
Këtë të hënë, pa debat, pesë ministra të rinj kanë marrë votëbesimin e Parlamentit pas emërimit nga kryeministri Edi Rama dhe dekretimit nga Presidenti Bajram Begaj. Teksa opozita kërkoi debat për ndryshimet në kabinet, mazhoranca kaloi pa probleme dekretet, ndërsa u shty për seancën e radhës emërimi i ministrit të Ekonomisë dhe Financave Ervin Mete, për shkak të detyrës së anëtarit të bordit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare me pozicionin e Drejtorit të Përgjithshëm Ekzekutiv.
Dorëheqja nga ky post iu miratua nga deputetët me 95 vota pro, por emërimi në krye të dikasterit do të duhet të shtyhet për në seancën tjetër. Specifika e Metës ka mbajtur pezull edhe votimin për 2 dekretet për Delina Ibrahimajn, atë të shkarkimit nga detyra e ministrit të Ekonomisë dhe emërimin si ministre Shteti për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit.
Deputeti i PS-së, Erion Braçe ka votuar kundër shkarkimit të Olta Xhaçkës si ministre për Evropën dhe Punët e Jashtme. Votimi për shkarkimin e Olta Xhaçkës si ministre e Jashtme mori 95 vota pro shkarkimit, 1 kundër dhe asnjë abstenim.
Tek komentonte ndryshimet në kabinetin Rama, ish-kryeministri Sali Berisha foli për ekzistencën e një videoje, që sipas tij, u bë shkak që Elisa Spiropali të mos emërohej ministre e Jashtme. Berisha thotë se në videon që thuhet se po qarkullon, ministrja e Shtetit për Parlamentin, shihet teksa bën një mbledhje me anëtarë të bandave të Shkodrës.
Si votuan deputetët
Olta Xhaçka u shkarkua si ministre e Jashtme me 95 vota pro, 1 kundër.
Ogerta Manastirliu u shkarkua si ministre e Shëndetësisë me 110 vota pro.
Evis Kushi u shkarkua si ministre e Arsimit me 99 vota pro dhe 3 kundër.
Frida Krifca u shkarkua si ministre e Bujqësisë me 107 vota pro.
Edona Bilali u shkarkua si ministre Shteti për Sipërmarrjen me 102 pro dhe 4 kundër.
Milva Ekonomi u shkarkua si ministre e Shtetit për Standardet e Shërbimeve me 98 vota pro, 2 abstenim dhe 2 kundër.
Arbjan Mazniku u emërua ministër për Pushtetin Vendor me 73 vota pro dhe 35 kundër.
Albana Koçiu u emërua si ministre e Shëndetësie me 73 vota pro, 1 abstenim dhe 32 kundër.
Igli Hasani u emërua ministër për Europën dhe Punët e Jashtme me 74 vota pro dhe 33 kundër.
Ogerta Manastirliu u emërua ministre e Arsimit me 72 vota pro, 35 kundër dhe 1 abstenim.
Anila Denaj u emërua ministre e Bujqësisë me 73 vota pro dhe 27 kundër.
Ervin Mete u lirua nga detyra si kryetar i Bordit dhe Drejtor Ekzekutiv i Agjencisë së Mbikëqyrjes Financiare me 95 vota pro, 1 abstenim dhe 5 kundër (Do të votohet për postin e ministrin në seancën e datës 14 Shtator).