Vrasësi serial i grave, Inspektori i Lartë i Drejtësisë nis verifikimin për gjyqtarët që liruan Dan Hutrën
Inspektori i Lartë i Drejtësisë bën me dije se po verifikon nëse ka përgjegjësi disiplinore nga ana e magjistratëve për lirimin e 40-vjeçarit 2 javë më parë. Gjykata e Apelit njoftoi këtë të mërkurë se dy ditë përpara lirimit nga burgu të Dan Hutrës, i kishte refuzuar kërkesën 40-vjeçarit për ndryshimin e masës së sigurisë nga “arrest me burg” në “detyrim paraqitje”.
Kjo ka ngritur edhe pikëpyetje për mënyrën se si është liruar 40-vjeçari, teksa edhe drejtori i Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj deklaroi në një konferencë për shtyp se do të nisë verifikimi për këtë proces.
“Inspektori i Lartë i Drejtësisë po ndjek me vëmendje komunikimet në media mbi ngjarjen tejet të rëndë të ndodhur sot në Tiranë, ku tre grave iu mor jeta dhe tre të tjera u plagosën, nga një individ i dënuar më parë për vrasje. Siç ka vepruar edhe në raste të tjera të ngjashme me ndjeshmëri të lartë publike, Inspektori i Lartë i Drejtësisë bën të ditur, se ka urdhëruar nisjen e verifikimit të rastit për të identifikuar, nëse ka, përgjegjësi disiplinore nga ana e magjistratëve”, thuhet në njoftim.