Vrasja e Azem Hajdarit, lirohet pas 15 vitesh burg Ismet Haxhia

Ismet Haxhia, një prej të cilësuarve si bashkëpunëtor në vrasjen e deputetit të Partisë Demokratike, Azem Hajdari, u thotë përfundimisht “lamtumirë” qelive të burgut, ku qëndroi i izoluar për më shumë se 15 vite burg.

Vëllai i Izet Haxhisë, ish-truproja e ish-kryeministrit Sali Berisha, ka kapërcyer pragun e burgut të sigurisë së lartë në Peqin, afro dy muaj më parë, pasi ka përfunduar dënimin e drejtësisë për ngjarjen e 12 shtatorit 1998, që u konsiderua edhe si “vrasja e shekullit”.

Burime nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve bënë me dije për “Gazetën Shqiptare” se Ismet Haxhia u lirua më 21 janar 2016, ditën e hyrjes në fuqi të ligjit “Për amnistinë”, pasi i kishin mbetur më pak se dy muaj burgim, të cilat iu shuan menjëherë, duke i dhënë lirinë.

I kontaktuar nga “GSH”, Ismet Haxhia tha se është një qytetar i thjeshtë dhe lirimi i tij nuk përbën asnjë lajm.

Ai theksoi faktin se ka shlyer dënimin e drejtësisë dhe se tashmë ka rinisur jetën e tij, pa dhënë ndonjë detaj të mëtejshëm.

Me lirimin e Ismet Haxhisë, për vrasjen e liderit të demokracisë Azem Hajdari, mbetet prapa hekurave vetëm Jaho Salihi Mulosmani, i cili është dënuar me burgim të përjetshëm si ekzekutor i deputetit. Ndërsa, Izet Haxhia jeton në Turqi ku gëzon status azilanti politik.

Ai qëndroi disa vite në burgjet turke, derisa drejtësia atje vendosi ta refuzonte ekstradimin e tij drejt Shqipërisë, duke e lënë në liri të plotë. Mbi supet e Izet Haxhisë rëndon dënimi i pashlyer prej 25 vite heqje lirie.

SHKARKO APP