Vrasja e biznesmenit Ruzhdi Hoxha, për borxhe apo një gjobëvënie?
Gjetja e kufomës së biznesmenit Ruzhdi Hoxha disa ditë pas zhdukjes u bë e mundur nga një telefonatë e fundit, qelizat e së cilës arritën të identifikojnë një nga autorët e dyshuar. Paçka alibive të Ferdinand Rrushit, provat janë një plus për hetimin e krimit makabër të ekzekutimit dhe hedhjes së trupit në një humnerë në qafë mollë, në zonën e Dajtit.
Dëshmia e të arrestuarit Ferdinand Rrushi nuk ka qenë bindëse. Madje, ajo ka shërbyer si indicie e parë për zbulimin e krimit.
Por dëshmia që e vë autorin e dyshuar me shpatulla pas murit është një fakt tjetër. Bëhet fjalë për mikun e viktimës, që në dëshminë e dhënë në polici, tregoi se e ka parë shokun e tij për herë të fundit teksa hipte në një makinë tip Pasat ngjyrë gri e errët bashkë me Fredi Rrushin dhe dy të tjerë.
Ferdinant, apo Fredi Rrushi është i dyshuari kryesor nga policia për vrasjen e biznesmenit, që kërkohej prej 13 ditësh, por trupi i pajetë i tij, u gjet vetëm të shtunën në një zonë gremine në Dajt.
Sipas mikut të tij që ka dhënë detaje në polici, Ruzhdi Hoxha kishte qëndruar me të dhe një mik tjetër deri në orën 23:00 duke pirë birra, derisa ishte shfaqur Fredi Rrushi për ta marrë me dy të tjerë. Policia ka ngritur dyshime të forta këtë të shtunë se autor i vrasjes së biznesmenit Ruzhdi Hoxha është shtetasi Ferdinant Rrushi.
Ky i fundit është arrestuar nga policia, ndërsa rezulton që është personi i fundit që ka takuar biznesmenin. Ai pretendon se e ka lënë Ruzhdi Hoxhën në banesën e tij, në zonën e 3-shit në Tiranë dhe më pas është larguar me automjetin e tij drejt banesës. Nga këqyrja e kamerave të sigurisë rezulton se automjeti sapo është larguar nga një degëzim i autostradës në afërsi të një lokali, ka vijuar udhëtimin drejt Dajtit.
Pikërisht në këtë zonë pas 13 ditë kërkimesh, policia me qentë e gjurmës gjeti në Qafë-Mollë, mbrapa Dajtit, në një greminë, trupin e pajetë të Ruzhdi Hoxhës, i mbuluar me zhavorr e gurë. Viktima është qëlluar edhe me armë zjarri, para se të hidhej nga shkëmbi në një humnerë, në zonën e Dajtit. Gjetja e trupit erdhi pasi policia si fillim gjeti xhupin e tij, i cili kishte njolla gjaku. Zhdukjen e biznesmenit e kishte denoncuar fillimisht djali i tij Saimir Hoxha, pas 4 ditësh pritje për kthimin e tij në shtëpi.
Djali i madh i Ruzhdi Hoxhës, Saimir Hoxha ka deklaruar për policinë se së bashku me disa të afërm e kanë kërkuar viktimën për 4 ditë, para se të drejtoheshin në polici. Në dëshminë e siguruar nga Anila Hoxha, djali i viktimës, ka treguar se pasi ka pyetur të gjithë miqtë dhe të njohurit e të atit, ka marrë në telefon edhe Fredi Rrushin. /Top Channel/