Vrasja e Çelës, porositësi i arrestuar edhe për ekzekutime të tjera. Kryebashkiaku s’ka dijeni për bandat
Porositësi i vrasjes së Bujarës Çelës dyshohet të ketë qenë Erion Alibej, i arrestuar më 18 shtator, pasi akuzohet si porositësi i dy vrasjeve të ndodhura më datë 20 korrik, në qytetin e Elbasanit, në lagjen “28 Nëntori”, ku u vra me armë zjarri shtetasi, Emiljano Ramazani, dhe i vrasjes së ndodhur më datë, 29.07.2020, në afërsi të varrezave të qytetit, ku mbeti i vrarë me armë të ftohtë shtetasi, Regis Runaj. Aktualisht, ndaj Alibejt është dhënë masa e sigurisë arrest me burg.
Bujar Çela u vra mëngjesin e 17 shtatorit në zonën e Bradasheshit, pranë qytetit të Elbasanit, teksa ishte duke pirë kafe në një lokal. Erion Alibej është vëllai i Endrit Alibej, i cili mbeti i vrarë në aksin Elbasan-Metalurgji, teksa u qëllua me breshëri. Të vdekur mbetën daja i tij Arben Dylgjeri dhe Erdal Durunay, shtetas turk, mik i Endritit. Erion Alibej është me precedent penal dhe në Itali njihej me emrat Erion Dylgjeri dhe Andrea Alibej. Vrasjet dyshohet të jenë kryer për hakmarrje.
Më 4 qershor të vitit 2013, Endrit dhe Erion u vunë në pranga nga autoritetet italiane në kuadër të operacionit të koduar “Cocash”. Në saj të këtij operacioni u shkatërruan dy grupe të trafikut të drogës. Në dy shtëpitë e vëllezërve në Itali, pas arrestimit u sekuestrua 15 kg kokainë.
Elbasani është kthyer në vendin më të inkriminuar. Kryeprokurori Olsian Çela, foli pikërisht për këtë situatë të paprecedentë të krijuar në këtë qytet. Zyrtari i lartë i Prokurorisë pranoi se qyteti po kontrollohet nga krimi dhe se prokuroria dhe policia nuk mund ta tolerojnë më që ky qytet të përdoret për të larë hesapet mes bandave, prandaj shtoi se ndaj tyre duhet një përgjigje ekzemplare. Gjatë viteve të fundit, një seri atentatesh, përfshi një duzinë vrasjesh ende të pazbardhura mes dy grupeve kriminale e kanë zhytur qytetin e Elbasanit në një situatë të vazhdueshme pasigurie.
I pyetur nga BIRN për situatën e rendit në qytetin që drejton, kryebashkiaku Gledian Llatja u shmang duke thënë se nuk i njihte çështjet e prokurorisë, por tha se bashkia ofronte mbështetje maksimale. “Nuk jam në dijeni të çështjeve të prokurorisë, por e kemi mbështetur dhe kemi një mbështetje maksimale për organet ligjzbatuese, si policinë ashtu edhe prokurorinë”, tha Llatja. Ai po ashtu pretendoi se bashkia kishte programe që “i largonin të rinjtë nga veset”.
Prej disa javësh vendi po përjeton krime të frikshme, çdo ditë vërshojnë plumbat edhe nën sytë e forcave speciale të Policisë së Shtetit. Atentate me eksploziv në limitet e një akti terrorist, ekzekutime mafioze e deri tek vrasje me thikë apo dhe ato për motive banale, kanë bërë që policia ti përgjigjet situatës me postblloqe. Kudo polici, forca speciale, të armatosur deri në dhëmbë që po terrorizojnë qytetarët. Por a tregon ky reagim se kemi një polici të dobët?