Vrasja e Eglit në Pogradec, avokati Petraj: Policia dhe Prokuroria gabuan që u përplasën, vepra penale s’duhet të ndryshonte

Vrasja e Egli Progës shkaktoi indinjatë në opinionin publik dhe reagime të shumta. Por jo vetëm kaq, sepse në përplasje u përfshinë edhe dy institucione ligjzbatuese, Policia dhe Prokuroria, që lanë qartë një konflikt juridik dhe ligjor mes tyre, për procedurat hetimore. Gjykata la në burg autorin Denis Meçe dhe liroi me detyrim paraqitjeje tre të tjerët, duke sjellë edhe reagimin e fortë të familjarëve të viktimës.

Pikërisht për këtë rast ka folur edhe avokati Edmond Petraj, i cili e vlerëson si të pavend dhe gabim përplasjen mes dy institucioneve, por edhe rikualifikimin që bëri organi i akuzës. Petraj shprehet se prokurori duhet të mos e kishte ndryshuar dhe Gjykata të kishte marrë kohë, pra të jepte 30 ditë paraburgim për të tjerët, pasi duhej pritur ekspertimi dhe provat plotësuese, për të parë nëse kishte vrasje me dashje dhe në bashkëpunim.

“Konflikti, debati që bën Policia e Korçës me Prokurorinë mua më duken të pavenda në momentin e parë, por duke qenë gjithë ky reagim në rrjetet sociale tregon dhe pjesën e shqetësimit të publikut, u ndjen të detyruar për të reaguar dhe të dy institucionet filluan të dilnin me deklarata. Për mendimin tim janë gabim. Nëse merresh vetëm me anën e procedurës se si ka vepruar Policia, duke ia referuar rastin Prokurorisë, kjo lloj dosje e parë aty është. Të gjitha veprimet që janë bërë janë aty, pra ajo dosje e flagrancës i ka të tëra veprimet. Nëse këtu jemi sipas asaj së cilës flitet, këtu shikohet që gjendet në momentin e dytë, duke iu referuar dosjes, gjendet se ku janë defektet”, thotë Petraj.

Duke iu referuar veprimeve që ka kryer Policia dhe verifikimeve, ai veçon edhe problematikën e konfliktit në nisje, duke u shprehur se Policia duhej të mjaftohej me një deklaratë që i përmbahej veprimeve. Por nuk e sheh me vend ndryshimin e akuzës, teksa beson se vepra penale e vrasjes me dashje do rikthehet.

“Aty fillon dhe kemi rikualifikim të veprës dhe duket sikur jemi në fazën që ka ndërhyrje, sepse referimi i parë që është vrasje me dashje, e që për mendimin tim këtu do ngelet kjo dosje, kjo është një vrasje me dashje për mendimin tim. Nuk ka vrasje nga pakujdesia, ai ka vajtur e ka gjuajtur. Qëllimi pse e ka gjuajtur mbetet për momentin në vazhdim. Problemi është se tashmë kemi një viktimë. Nëse do isha prokuror i çështjes nuk do ta kisha lëvizur akuzën dhe mund ta rishikoja në një fazë të dytë. Kjo nuk është e mirë, sepse krijon vakuum dhe humbet besueshmërinë te institucionet ligjzbatuese, si nga Policia ashtu edhe nga Prokuroria”, shprehet mbrojtësi ligjor për ”Report TV”.

Avokati sheh kontradikta edhe te dëshmitë, vendi i krimit, kamerat apo debati për vonesën e ambulancës, me 7 apo 30 minuta. Teksa sheh mungesë serioziteti dhe mangësi në çështje. “E gjithë kjo përçon një shqetësim të thellë se si është trajtuar ky rast. Ato ngrenë pikëpyetje të rëndësishme në procedurat e ndjekura dhe procesin hetimor dhe ndershmëria e institucioneve përgjegjëse, duke reflektuar një mungesë të thellë të besimit ndaj këtyre autoriteteve. Të gjitha këto më sipër tregojnë se mund të kemi pasur një mangësi serioze në menaxhimin e hetimeve. Këto dyshime kërkojnë përgjigje të qartë, të paanshme dhe të vërtetë. Në këto momente ka institucione që hetojnë se si është zbatuar procedura në vendin e ngjarjes, marrje informacioni, dërgesa në spital, plotësimi i dosjes, çuarja dhe referimi në Prokurori, veprimet e prokurorit dhe të gjykatës”, shprehet ai.

SHKARKO APP