Vrasja e gjyqëtares, shkrimtarja dedikim prekës: Desi, shqiponjë e qiellit
Rovena Rrozhani, shkrimtare e njohur për fëmijë, i kushtoi një dedikim prekës gjyqtares së vrarë sot në mesditë nga ish-bashkëshorti. Ajo e kujton gjyqtaren e vrarë si një grua të fortë, nënë shembullore dhe një administratore të shkëlqyer që kur ishte drejtoreshë kopshti dhe me shumë sakrifica arriti të mbarojë shkollën e Magjistraturës për t’u bërë gjyqtare.
Ja postimi i shkrimtares për gjyqtaren
Desi, tani shqiponja e qiellit!
Shpresova që lajmi të mos kishte asnjë lidhje me ty. Detajet e pakta që lexova çastet e para ishin kokëforte, por shpresa vdes e fundit. Dhe shpresa vdiq sapo media publikoi foton tënde, e mira Desi!
Unë të njoha pak, por aq sa të kuptoja se ti ishe vërtet ashtu siç të quante një profesor i fakultetit “një shqiponjë” teksa t’i punoje, studioje dhe merreshe me familjen e fëmijët e tu.
Atëherë ishe një drejtoreshë kopshti dhe më mahnisje me energjinë tënde për të ndryshuar gjërat, për të administruar sa më mirë një institucion të vështirë dhe me shumë përgjegjësi. Isha prind i një femije të kopshtit por ti komunikove sikur të ishim shoqe. Nuk dije asgjë për mua. Kërkoje një shfaqje për fëmijët e kopshtit tënd sepse kishe dëshirë të bëje më shumë nga një program rutinë. Dhe unë dramatizova “Derrkucin Gjumash”. Ti e ngrite aq shpejt, me aq vendosmëri dhe aq bukur sa i meritove të gjitha çmimet e konkursit, sikur të ishe një regjisore me përvojë. I le pas edhe kopshtet private të majmura me pagesat e prindërve. Më befasove! Të admirova!
Të takova vite më vonë në shkollën ku fëmijët tanë studionin. Energjia jote nuk njihte moshë. As lodhje. Po mbaroje studimet në magjistraturë. Të përgëzova me shpirt. Fëmijët gjithashtu të bënin të qeshje e mburreshe me të drejtë se ishin të shkëlqyer në shkolle. “Si ty”- të thashë. Pastaj më flisje aq shumë për peshën e gjithçkaje që po mbaje në supe, por asnjë çast nuk pashë ndonjë shenjë lodhjeje. “Vrapoj – më the- Edhe punët e shtëpisë i bëj vetë se nuk më pëlqen dora e një të huaje”. Unë qesha. U ndamë. E fundit herë që u takuam bashkë.
Të kam kujtuar sa herë imagjinoja një grua të fortë. Edhe kur një ditë mësova sesi shpëtove për fije në plazhin e Golemit. Më pas asnjë lajm. Përditshmëria nuk na bëri bashkë, por unë isha e bindur që do të kishe ecur përpara dhe pikërisht në sistemin e drejtësisë do të kishe kapërcyer konfliktin e rrezikshëm. Nuk e di, por më pëlqente të mendoja se ti ishe “ajo shqiponja” që do të bënte ndryshimin edhe në sistemin e drejtësisë. Deri sot! Tani nuk besoj dot më, Desi, shqiponjë e qiellit!

