Vrasja e Klodianit, kontradikta mes dëshmive të dy policëve
Janë zbardhur dëshmitë e efektivit të repartit ”Shqiponja”, Nevaldo Hajdaraj i cili vrau me armë zjarri 25-vjeçarin Klodian Rasha si dhe të kolegut të tij, me iniciale E.Gj. Në dëshminë e tyre në komisariat, ata kanë treguar të gjithë dinamikën e ngjarjes, sipas versioneve të tyre ku janë vënë re dhe kontradikta mes kolegësh.
Një pikë që ata nuk bien dakord, është pasi Hajdaraj nuk ka përmendur në asnjë moment të ketë pasur përplasje fizike me Klodianin, ndërsa kolegu i tij me iniciale E.Gj, thotë se gjatë ndjekjes, ata u konfliktuan për një moment.
Sipas efektivëve të policisë ata kanë treguar fillimin e ngjarjes ku gjatë patrullimit në orën 01:10 në rrugën “Dritan Hoxha” (rruga nga sheshi “Shqiponja” drejt “Zogut të zi”) ka konstatuar një person që po qëndronte pranë një hoteli e duke i bërë thirrje më pas për të verifikuar nëse kishte leje dalje apo jo.
Në dëshminë e tij, Nevaldo thotë se Rasha sapo ka parë patrullën e policisë është larguar me vrap duke kaluar rrugën e duke u futur në rrugica. Efektivi shprehet se i është vendosur në ndjekje të tij pasi Rasha nuk ndalonte vrapin dhe gjatë ndjekjes ka vënë re që 25-vjeçari ka nxjerrë nga brezi një send, në dukje armë zjarri. Sipas policit me iniciale N.H., gjatë ndjekjes së 25-vjeçarit, ky i fundit e ka kërcënuar “mos u afro se do të qëlloj”.