Vrasja në Bllok u filmua. Dyshime për trafikun e drogës dhe krushqit

Oficerët e Policisë Gjyqësore të Sektorit të Krimeve të Rënda në Policinë e Tiranës kanë sekuestruar gjatë paradites dy kamera sigurie të një pike interneti dhe një marketi, të cilat kanë regjistruar skenën e atentatit ndaj 41 – vjeçarit Ajet Zeqaj.

Deri më tani janë shoqëruar në polici 10 persona.

Zeqaj u qëllua për vdekje gjatë mbrëmjes së të mërkurës, në zonën e ish – Bllokut. Ngjarja u shënua mbrapa pallateve tek rruga “Nikolla Tupe”.

Ai ishte bashkë me një shok në një bilardo dhe kur ka dalë nga prej aty, rreth 5 metra më tutje është qëlluar nga mbrapa, nga një person i maskuar me kapuç, me armë zjarri pistoletë me silenciator.

Viktima kishte vetë 20 ditë që ishte kthyer nga Franca. Autori ka studiuar lëvizjet e tij dhe ka shfrytëzuar errësirën dhe mungesën e vëmëndjes së 41 – vjeçarit.

Policia ka gjetur pak metra larg vendit të ngjarjes, poshtë një makine me ngjyrë blu, armën e krimit që autori e ka hedhur pas krimit.

Autori sipas informacioneve në vendgjarje është larguar në këmbë, duke dalë në rrugën “Sami Frashëri” në drejtim të shkollës 11 Janari, raporton Klan.

Pistat kryesore të hetimit, ku është përqëndruar grupi hetimor, janë ato të konflikteve për shkak të aktivitetit të Zeqajt në trafikun e lëndëve narkotike në Francë, gjithashtu dhe pista e hakmarrjes për probleme familjare.

Policia ka sekuestruar kamerat e sigurisë së bilardos dhe disa kamera të tjera që ndodheshin afër vendit të ngjarjes.

Zeqaj, gjatë viteve 96 – 98 ka qenë pjesë e Forcave Speciale të Ushtrisë, ndërsa në vitin 2001-2002 ka punuar si punonjës i Policisë Rrugore.

Shoku i tij është shoqëruar në polici për të sqaruar rrethanat e ngjarjes si dëmshmitar okularë.

SHKARKO APP