Vrasja për hakmarrje bandash? Merren në pyetje familjarët e Besnik Hidës në Lushnje
Një ditë pas ekzekutimit të tregtarit të Makinave në Lushnje, Policia ende nuk ka persona të dyshuar të vënë në pranga. Grupi hetimor mësohet se ka marrë në pyetje familjarët e Besnik Hidës, por tregohet i rezervuar në detaje. Dyshimi kryesor sipas burimeve mbetet pista e vrasjes hakmarrjen mes bandave të Lushnjes.
Ekzekutorët i Besnik Hidës, biznesmenit të makinave të përdorura, i vrarë në Lushnjë të martën mbeten në arrati.
Edhe pse tregohet shumë e rezervuar, policia e Lushnjës sipas burimeve ende nuk ka një person në pranga në cilësinë e të dyshuarit për krimin.
Burimet thonë se grupi hetimor ka marrë dëshmitë e familjarëve të viktimës, të cilët janë pyetur për konflikte të mundshme apo nësë 40 vjeçari ka marrë kërcënime.
Por në këtë pikë, grupi hetimor tregohet shumë i rezervuar mbi pistat që mund ta kenë drejtuar hetimin dëshmitë e tyre.
Hida u vra me breshëri automatiku në katin e dytë të një lokali, ndërsa autori i maskuar më pas u largua nga vendngjarja me një makinë që u gjet e djegur në periferi të Lushnjës.
Grupi hetimor nga ana tjetër po pret përgjigjet e ekspertizës të tre armëve të gjetura brenda makinës dhe gjurmëve të tjera që mund të jenë gjetur aty.
Fakti se makina e përdorur për atentatin ishte grabitur në Tiranë dhe historitë e së shkuarës, çojnë policinë në dyshimin se vrasja e 40 vjeçarit mund ketë lidhje me hakmarrjen e bandave të Lushnjës.
Kjo tezë përforcohet nga fakti se viktima Besnik Hida, ishte daja i Zamir Latifit i vrarë rreth dy vjet më parë në atë që njihet masakra e Lushnjës, ku humbi jetën edhe Jurgen Hoxha, ndërsa u plagosën Marius Xhepexhiu dhe një kalimtar.
/Ora News