Në 6 vite mbi 382 ekzekutime mafioze, Shqipëria peng i bandave
Redjon Shtylla
”Krimi, krimi, krimi”. Me ironi, me gjakënxehtësi kryeministri Edi Rama ka ”shpërthyer” disa kohë më parë por që për kronikën e zezë në Shqipëri, këto fjalë përkthehen në shifra të frikshme. Në 6 vitet e fundit janë shënuar mbi 382 vrasje. Ekzekutime mafioze, krime në familje apo hakëmarrje, janë ngjarjet që kanë tronditur shqiptarët. Shumica e vrasjeve janë zbardhur por më shumë se 120 prej tyre sot ende nuk kanë asnjë autor. Vrasja më e bujshme për të cilën nuk u gjet asnjë provë se kush e kreu apo e urdhëroi, është ajo e Artan Santos në 2014. Ish-bankieri u qëllua sapo doli nga makina për të shkuar në zyrë. Kurse Elbasani ngjan me Palermon e viteve 80-të. Një nga qytetet më të vjetra shqiptare, sot ngjan me një fantazmë. Skampius është sinonim i skamjes ku rilindja vallëzon me oligarkë.
Vrasjet me pagesë është një fenomen i hasur vitet e fundit. Sa paguhet një vrasës për të plotësuar kërkesën e klientit të tij? Nga 50 mijë deri më 1 milionë euro variojnë çmimet e vrasjeve në Ballkan. Vitet e fundit vrasjet me pagesë janë të shpeshta. Skema mbetet e thjeshtë dhe nuk ndryshon shumë në vendet e ndryshme të Ballkanit. Ajo ka të bëjë kryesisht me vrasje biznesmenësh, hakmarrje, konflikte etj. Në këto raste zgjidhet njeriu me pagesë që zakonisht gjendet nga grupet e vogla kriminale.
Disa ditë më parë, ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj u përpoq të minimizonte ngjarjet e fundit kriminale, duke thënë se këtë vit kemi numrin më të ulët të vrasjeve. Shqipëria renditet e treta në Europë për nivelin më të lartë të viktimave nga vrasjet në raport me popullsinë. Numri më i lartë i viktimave nga vrasjet në 5 vitet e fundit është shënuar në 2016-n, me 99 humbje jete, duke zbritur në 68 përkatësisht në 2017 dhe 2018. Kurse në 2019 u vranë 75 persona. Vrasjet me dashje, në 58 në 2019 nga 51 në 2018, kanë shënuar nivelin më të lartë nga 2016.
Në 6 mujorin e parë të vitit 2020, ndonëse ishim të izoluar disa muaj për shkak të Covid-19, u regjistruan 24 vrasje. Grupet kriminale kishin kohë që të mendonin për metodat, që kanë rezultuar më të sofistikuara në tentativën për të mbajtur autoritetet shqiptare larg zbardhjes të vërtetës. Grupet kriminale i kanë shfrytëzuar muajt e shtetrrethimit për të thurur plane. Në rreth 70 ditë nga kthimi në normalitet në të gjithë vendin u regjistrua 12 ngjarje kriminale, 4 prej të cilave me nga 2 viktima. PD thotë se Edi Rama është shkaku kryesor i fuqisë që krimi i organizuar ka sot në Shqipëri dhe jashtë saj, prandaj vendi ynë ka nevojë urgjente të ndahet nga kryeministri peng i krimit.
Rreziku nga vrasjet, dhuna ndaj fëmijëve, trafikimi i qenieve njerëzore dhe dhuna seksuale është i rëndësishme për t’u adresuar. Për të trajtuar këto sfida dhe për të ndërtuar një shoqëri më paqësore, gjithëpërfshirëse, duhet të ketë ligje më efikase dhe transparente të vendosura dhe buxhete gjithëpërfshirëse, realiste të qeverisë. A ka zgjidhje? Sigurimi i paqes dhe qetësisë për shoqërinë është njëri objektivat (SDG 16) për zhvillimin e qëndrueshëm, ku edhe Shqipëria bën pjesë.
Disa nga synimet:
-Ulja ndjeshëm e të gjitha formave të dhunës dhe shkallën e vdekjeve të lidhura më të.
-Fundi i abuzimit, shfrytëzimi, trafikimi dhe të gjitha formave të dhunës ndaj dhe torturimit të fëmijëve.
-Sundimit i ligjit në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar dhe sigurimi i një aksesi të barabartë në drejtësi për të gjithë.
-Reduktimi i ndjeshëm i korrupsionit dhe rryshfetit në të gjitha format e tyre.
-Zhvillimi i institucioneve efektive, të përgjegjshme dhe transparente në të gjitha nivelet.
/Koha Jonë/