Vrasjet në Laç/ Mes vrasësit dhe viktimave ka patur shkëmbim zjarri, atentatori tërhiqet zvarrë nga bashkëpunëtorët
Syri.net publikoi pak minuta më parë pamje ekskluzive nga vrasja e dyfishtë e 30 Majit në Kurbin duke sjellë detaje të reja nga ekzekutimi i bujshëm i Bujar (Hasan) Lika dhe Paulin Gjergji (Marku).
Siç shihet në pamjet e mëposhtme, mes atentatorit dhe viktimave ka patur edhe një përplasje me armë. Për këtë arsye vrasësi rrëzohet në tokë dhe qëllon në pozicion shtrirë.
Për këtë arsye, sipas Mjekësisë Ligjore, viktimat pjesën më të madhe të plumbave e kanë në pjesët e poshtme të trupit.
Por pamjet tregojnë edhe diçka tjetër: edhe atentatori, i cili mban një pelerinë me mbishkrimin Policia, ka mbetur i plagosur gjatë atentatit.
Në fund të videos shihet se si bashkëpunëtorët e tij e tërheqin zvarrë për ta futur më pas në makinë.
Kujtojmë se ngjarja e rëndë ndodhi më 30 maj, kur 7 atentatorët, mes tyre Kreshnik Tusha, të veshur si efektivë policie mbërritën në sheshin e një hoteli “AA”, në autostradën Laç-Mamurras, ku ndodheshin viktimat dhe i gjuajtën me armë.
Për pasojë, ndërroi jetë në vendngjarje, Bujar (Hasani) Lika, 37 vjeç dhe Paulin Gjergji, 53 vjeç.
Ende sot, Policia nuk ka asnjë të ndaluar për këtë ngjarje të rëndë. /Syri.net