Vrau babain, Prokuroria: Sherri nisi pasi derdhi karrocën me llaç. “Ti nuk bën për asgjë”
Detaje të reja kanë dalë në dritë në lidhje me krimin në familje të ndodhur në zonën e Bathores në periferi të Tiranës tre ditë më parë, ku djali vrau me armën e shërbimit të atin polic si dhe plagosi nënën e tij.
Prokuroria e Krimeve të Rënda ka dorëzuar ditën e sotme në Gjykatë dosjen hetimore për krimin e ndodhur në familje, duke kërkuar si masë sigurie “arrest me burg”, për të riun.
Mësohet se Mirald Metallari dhe babai i tij Myftar Metallari, kanë qenë duke punuar për ndërtimin e një muri në oborr, në një kohë që po përgatiteshin për dasmën e motrës së autorit.
Duke transportuar karrocën me llaç 21-vjeçari është penguar dhe e ka derdhur atë. Kjo e ka zemëruar të atin, 55-vjeçar, i cili ka shpërthyer në kritika ndaj të birit duke i thënë “Ti nuk bën për asgjë”.
Më tej i riu ka hyrë në banesë, por është ndjekur pas nga i ati duke u konfrontuar edhe fizikisht. Në një moment Miraldi ka arritur të marrë armën e zjarrit dhe të qëllojë drejt babait, të cilin e la të vdekur në vend.
Në përleshjen fizike mes tij dhe të atit u përfshi edhe nëna e të riut Nurie Metallari 47 vjeçe, e cila mbeti e plagosur nga ngjarja.

