Vrau gruan me levë, burri: 30 vite ma solli shpirtin aty ku s’mban më
Pa kaluar 24 orë nga krimi i dyfishtë në Rrëshen, një tjetër grua u vra këtë herë në qytetin e Durrësit. Ruzhdi Tosuni 63-vjeç vrau bashkëshotren, Hajdie Tosuni 59-vjeç, pas një debati lidhur me shitjen e dyqanit të metrazheve.
Çifti fillimisht ka debatuar, por situata agravoi dhe burri e qëlloi disa herë me levë gruan duke e lënë të vdekur në vend. Çifti i komunitetit egjiptian ka tre vajza, njiheshin si të qetë dhe pa probleme, ndërsa prej disa vitesh kishin biznesin e tyre pranë Pallatit të Sportit. Në vendngjarje ka qenë edhe njëra nga vajzat, e cila ka parë të gjithë skenën.
Burime nga policia bëjnë të ditur se autori i dyshuar Ruzhdi Tosuni e ka njoftuar vetë policinë duke u thënë “ejani se kam vrarë gruan”.
Pyetjes së policisë së “ku ndodhej”, autori i është përgjigjur duke thënë “para dyqanit po ju pres”. Kur ka shkuar policia ai i ka dorëzuar çelësat e qepenit dhe të dyqanit. Teksa e shoqëronin në polici dhe e pyetën se përse e vrave gruan, autori është shprehur se “ma solli shpirtin aty ku nuk mban më. Kam 30 vjet që e duroj dhe e vrava”.