Vrau se nuk i kërkuan falje, burg për 21-vjeçarin e sapoardhur nga Belgjika
Gjykata e Shkodrës ka dhënë sot masën e arrestit me burg për 21-vjeçarin Jozef Mujeci, që ekzekutoi me plumb në ballë 42-vjeçarin Genc Mëhillaj më 6 tetor në fshatin Mali i Jushit.
I riu Jozef Mujeci qëlloi në distancë të afërt viktimën pas një sherri që kishin pasur dy ditë para vrasjes.
Ngjarja nisi kur 42-vjeçari i kërkoi 21-vjeçarit që t’i hapte rrugën me makinë, por autori i tha që të priste. Kaq mjaftoi që mes tyre të niste sherri dhe viktima ofendoi dhe shtyu Jozef Mujecin.
Ky i fundit i tha që t’i kërkonte falje, gjë që nuk u pranua nga viktima. Kjo gjë e acaroi të riu, i cili i bëri të ditur 42-vjeçarit se do t’i kishte punët keq dhe u largua drejt banesës së tij.
Ai kishte vetëm 1 javë që ishte kthyer nga Belgjika ku dhe jetonte, ndërsa mëngjesin e 6 tetorit kishte marrë pistoletën dhe ndoqi viktimën duke e qëlluar me plumb në kokë.
Pas vrasjes, ai u largua në drejtim të paditur. U identifikua dhe u shpall në kërkim nga policia, por pas 10 orësh, 21-vjeçari Jozef Mujeci u vetëdorëzua në Policinë e Shkodrës.
KOHA JONË SONDAZH

