Vrau të bijën në Shqipëri, palestinezi arrestohet në Liban. Motivi ende mister
Palestinezi Fati Alwan i cili akuzohet se vrau të bijën e tij 2 muaj më parë në Shqipëri, është arrestuar këtë të mërkurë në Liban. Të martën u tërhoq nga morgu trupi i pajetë i 24-vjeçares Rayan Alwan, nga avokati i familjes së saj, i dërguar në vendin tonë nga nëna e 24-vjeçares dhe është dërguar më pas në Liban.
Vajza palestineze u gjet e vrarë në një banesë të marrë me qira në kryeqytet në muajin shkurt të këtij viti. Fillimisht u dyshua se autor ishte bashkëjetuesi i saj, 25 vite më i madh në moshë. Më pas të dhënave që policia shqiptare siguroi nga homologët rezultoi se 24-vjeçarja u vra nga babai i saj, tashmë i shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Motivet e këtij krimi makabër vijojnë të mbeten mister për grupin hetimor. Autoritetet shqiptare pak ditë pasi ndodhi ngjarja i kërkuan homologëve në Gjermani që të kërkonin nga familjarët të tërhiqnin nga morgu trupin e së resë, por sipas tyre nuk kishte pasur asnjëri një interesim për këtë gjë. Fati dhe Rayyan Alwan mbërritën në Shqipëri më 19 shkurt dhe në Rinas 49-vjeçari u prezantua se kishte ardhur në Tiranë si turist me partneren e tij.
Natën e parë ata kanë fjetur në katin e parë të banesës 3-katëshe, dhe më pas me pretendimin se nuk u ka pëlqyer dhoma, më datë 20 kanë qëndruar në katin e tretë të vilës, aty ku ndodhi edhe krimi makabër.
KOHA JONË SONDAZH

