Vr*sja e 14-vjeçarit, Dom Gjergj Meta: Të parandalojmë ngjarjet e rënda mes adoleshentëve
Dom Gjergj Meta, ka folur për ngjarjen e rëndë në shkollën “Fan Noli”, ku pas një sherri mbeti i vrarë një 14-vjeçar. Sipas tij, sherret në këtë moshë janë normale, por “e gjithë çështja është se çfarë qasje kanë të rriturit”.
“Ngjarja e fundit është e rëndë. Unë nuk kam fëmijë, por me moshën që kam ai fëmijë mund të kishte qenë fëmija im. Është një dhimbje që nuk ia heq dot njeri atyre prindërve. Nuk është reaguar me kohë. Unë mbaj mend kur isha 13-14 vjeç, kam bërë sherr me një shokun tim. Në një moment ai nxjerr thikën, por falë Zotit ishte një mësues aty afër dhe nuk ndodhi gjë. Unë direkt shkova te babai im dhe i tregova çfarë më kishte ndodhur.
Babai më mori dhe shkuam te babai i atij djalit. Dy baballarët tanë ishin rritur bashkë. Na vunë përpara dhe na thanë: “Nuk keni turp? Ne kurrë nuk kemi bërë fjalë, ndërsa ju të dy bëni këtë? Tani do të pajtoheni me njëri-tjetrin dhe nuk duam që kjo gjë të ndodhë më kurrë në familjet tona”.
Gjithmonë e kam mbajtur mend këtë episod. Sherri ndodh, sepse në atë moshë mendon se ke botën në dorë, të duket vetja i pavdekshëm, por e gjithë çështja është se çfarë qasje kanë pasur të rriturit. Mjekët thonë se në vend ta kurojmë një sëmundje duhet ta parandalojmë atë. Sot mungon qasja parandaluese”, deklaroi Dom Gjergj Meta.