Vr@sja e 14-vjeçarit, Ministria: Do kemi mjedise sa më të sigurta
Ministria e Arsimit dhe Sportit ka reaguar për vrasjen e 14-vjeçarit pas një sulmi me thikë, gjatë një konflikti mes adoleshentëve dhe u plagosën edhe 2 të tjerë. Përmes një njoftimi, Ministria e Arsimit e Sportit i ka shprehur ngushëllimet familjarëve të viktimës dhe ka kërkuar nga institucionet ligjzbatuese zbardhjen e plotë të ngjarjes. ”Ministria e Arsimit dhe Sportit ka marrë në vazhdimësi, dhe është duke zbatuar masa konkrete për të garantuar që procesi i mësimdhënies, në të gjitha shkollat e Shqipërisë, të kryhet në mënyrë sa më të sigurt, të rregullt e me standarte”.
Reagim i Ministrisë së Arsimit dhe Sportit
Jemi thellësisht të tronditur nga ngjarja tragjike e ndodhur sot në rrugën “Qemal Stafa”, Tiranë, ku një konflikt mes tre të miturve çoi në humbjen e jetës së njërit prej tyre, nxënës i shkollës “Fan Noli”.
Ngushëllimet tona më të sinqerta i shkojnë familjes së nxënësit që humbi jetën, ndërsa urojmë shërim të shpejtë për nxënësin tjetër. Në të njëjtën kohë, kërkojmë nga institucionet ligjzbatuese që të kryejnë zbardhjen e menjëhershme të të gjitha rrethanave të kësaj ngjarjeje.
Siguria në shkolla dhe jashtë tyre ka qenë dhe do të mbetet një prioritet absolut, i bashkëpunimit mes Ministrisë së Brendshme, Policisë së Shtetit, Ministrisë së Arsimit, Pushteti Vendor, komunitetit dhe të gjithë shoqërisë.
Ministria e Arsimit dhe Sportit ka marrë në vazhdimësi, dhe është duke zbatuar masa konkrete për të garantuar që procesi i mësimdhënies, në të gjitha shkollat e Shqipërisë, të kryhet në mënyrë sa më të sigurt, të rregullt e me standarte.
Ndërkohë që Ministria e Arsimit dhe Sportit është maksimalisht e angazhuar për të siguruar mjedise sa më të sigurta për zhvillimin normal të mësimit në të gjithë Shqipërinë, mbetet gjithmonë thelbësor roli sa më aktiv i të gjitha palëve, prindër, mësues, punonjës të policisë së shtetit, institucione arsimore por edhe komuniteti, për të bërë të mundur parandalimin e ngjarjeve të tilla në të ardhmen.