Vr*sja e efektivit në Fier, Prokuroria nis hetimet dhe ka dy akuza ndaj autorit të ngjarjes. I riu ende në arrati
Vrasja e efektivit të forcave ”Shqiponja” Novruz Cenalia, bën që Prokuroria e Fierit të nis një procedim penal për ”vrasje të punonjësve të policisë së shtetit” dhe ”mbajtja pa leje e armëve”. 28-vjeçari Novruz Cenalia u vra me një plumb në kokë më 13 maj 2024 në fshatin Baltëz të Fierit. Ai ishte nisur për të shkuar në punë, por u përfshi në një debat me Azgan Mërnicën, 23-vjeç, për radhën e kalimit me makinë. Në këtë moment, 23-vjeçari nxori pistoletën që e mbante me vete dhe me një tek plumb në kokë la të vdekur në vend punonjësin e Policisë së Shtetit. Më pas ai u largua nga vendi i ngjarjes. Vijon që Mërnica të jetë në arrati.
”Më datë 13.05.2024, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, mbi bazën e materialit të referuar nga Drejtoria Vendore e Policisë Fier, ka regjistruar procedimin penal nr. 689, të vitit 2024, për veprat penale “Vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” parashikuar nga neni 79/b dhe 278 parg. I i K.Penal.
Kjo çështje penale është regjistruar për ngjarjen e ndodhur në datë 13.05.2024, rreth orës 13:30, në fshatin Baltëz, Njësia Administrative Dërmenas, Bashkia Fier, ku është vrarë me armë zjarri punonjësi i policisë së shtetit N. C.
Nga ana e policisë gjyqësore, nën drejtimin e prokurorit të gatshëm, të pranishëm në vendin e ngjarjes, pasi janë kryer veprime procedurale si, këqyrje e vendit të ngjarjes, sekuestrimit të provave materiale, sekuestrimit dhe këqyrjes së pamjeve filmike, pyetjes së shumë personave dhe veprime të tjera hetimore që lidhen me natyrën e ngjarjes, është arritur të identifikohet autori i dyshuar, shtetasi A. M., i datëlindjes 15.06.2001, lindur në Fier dhe banues në Sulaj, Njësia Administrative Dërmenas, Bashkia Fier.
Me qëllim vënien e autorit të dyshuar para përgjegjësisë penale, nga ana e strukturave të Policisë së Shtetit po vijojnë në mënyrë të pandërprerë dhe intensive kërkimet për gjetjen e autorit të dyshuar. Gjithashtu, nga ana e policisë gjyqësore, nën drejtimin e prokurorit të çështjes, po kryhen veprime procedurale me qëllim evidentimin e plotë të dinamikës së ngjarjes”.