Vr*sja e policit pas sh*rrit kush do kalojë rrugën, sociologu: Shoqëri e dhu*shme
Sociologu Edmond Dragoti ka folur mbi vrasjen e policit Novruz Cenalia në Fier. Pas një debati për kalimin në rrugë, Azgan Mërnica qëlloi me plumb në kokë policin. Sociologu thotë se shoqëria ynë është e dhunshme dhe sjellje të tilla vijnë për shkak të mungesave në edukimin e fëmijëve, të cilët sipas tij rriten me agresivitet.
“Kjo është një shoqëri e dhunshme për shumë arsye, vec të tjerash edhe për problemet e mbijetesës që kanë shumë familje jo vetëm në kuptimin ekonomik por edhe kulturor. Individë të caktuar që rriten dhe edukohen në mungesa kushtesh të vazhdueshme në shoqëri dhe krijojnë deformime të personalitetit të tyre. Jo gjithmonë janë shkaqe reale që janë të munfshme për të stimuluar këtë lloj qëndrimi ndaj njëri-tjetrit, varet nga percetimi që kanë ata për realitetin, mënyra se si janë mësuar ta shikojnë, nga sa e vlerësojnë komunikimin ndërpersonal etj”, tha Dragoti.
Po ashtu ai shton se sistemi shoqëror në vendin tonë është i ndërtuar në bazën e autoritetit, duke thënë se më herët ishte familja autoriteti që edukonte fëmijët. Tani sociologu thekson se duhet të ketë një rol më të madh nga shteti dhe autoritetet, pasi ende shoqëria shqiptare nuk e ka pjekurinë për të zbatuar ligjin.
“Është një lloj papjekurie emocionale që është krijuar në kushtet e një sistemi shoqëror që ka ekzistuar dhe ekziston tek ne i bazuar te një autoritet, psh autoriteti familjar ishte ai që edukonte fëmijët. Ndërkohë që sot duhet të jetë ligji, shteti ai që duhet të edukojë në qëndrimet dhe sjelljet emocionale të individëve. Akoma ne nuk kemi pjekurinë për të respektuar ligjin, rregullat dhe lirinë e tjetrit. Ne duam të jemi të lirë, por vetëm ne jo të tjerët. Ne mendojmë se vetëm ne kemi të drejtë të mendojmë në një mënyrë apo një tjetër, pa menduar se këtë të drejtë e ka edhe tjetri, paaftësia për të ndarë me të tjerët lirinë, emocionet, na ka bërë të jemi të gabuar jo vetëm në komunikimet tona por edhe në zgjidhjet fatale”, tha sociologu.