Vurmo: Shqipëria ka numrin më të lartë të ligjeve me porosi krahasuar me vendet e Ballkanit Perëndimor
Në një intervistë për RTV Ora, një nga autorët e hartimit të raportit të TIA Gjergji Vurmo u shpreh se Shqipëria ka numrin më të lartë të ligjeve me porosi krahasuar me vendet e Ballkanit Perëndimor.
Vurmo tha se në raport është mundur të evidentohet mekanizmi me të cilin është kapur shteti në vendin tonë.
Vurmo: Raporti ndjek një metodologji të Transparency Internacional. Raporti është ndarë në dy pjesë për rastet e korrupsionit të lartë dhe ajo e ligjeve me porosi. Ligjet me porosi janë ato ligje që kanë një aplikim të përgjithshëm, por që në fakt u shërbejnë vetëm interesave të individëve specifikë. Pyetja e parë që bëhet në këtë rast është nëse kujt i shërben ky ligj dhe kush përfiton nga ai, si dhe si preket interesi publik. Në rastin e Shqipërisë, kemi numrin më të lartë të të ligjeve me porosi krahasuar me vendet e Ballkanit Perëndimor. Bëhet fjalë për ligjin special të Teatrit, disa kontrata koncesionare, si Milot-Balldren, ligji i lojërave të fatit, për aeroportin e Vlorës. Në total janë 9 ligje të cilat janë cituar në raport.
Raporti që kemi publikuar sot përfshinë periudhën nga viti 2008 deri në vitin 2020. Raporti është munduar që të përfshijë disa periudha të ndryshme qeverisëse. Ky raport përcakton në mënyrë të qartë se çfarë është ajo që quhet një ligjbërje me porosi, edhe pse në vendin tonë ka një mungesë literature. Me këtë studim është të zbulojmë se cili ka qenë mekanizmi i kapjes së shteti. Është folur shumë për këtë çështje, or kemi pasur shumë pak prova konkrete lidhur me këtë fenomen. Në studim kemi shpjeguar mekanizmin se si është kapur shteti në vendin tonë dhe në Ballkanin Perëndimor. Nga njëra anë kemi interesat politike ilegjitime deri në kriminale, duke shfrytëzuar këtë sistem dhe duke kapur gjyqësorin për të mos u dënuar, si dhe procesin e ligjbërjes që t’i shërbejnë interesave të tyre.
Vurmo shtoi se në raport me gjyqësorin janë konstatuar rastet të pandëshkueshmërisë së zyrtarëve të lartë, duke përmendur rastin e ish-ministrit të Brendshëm, koncesionet në shëndetësi dhe Gërdecin.
Vurmo: Në raport me gjyqësorin kemi konstatuar rastet të pandëshkueshmërisë së zyrtarëve të lartë. Kemi rastin e ish-ministrit të Brendshëm, koncesionet në shëndetësi, Gërdeci. Janë shumë raste të tilla. Nuk duhet të humbasim ne raste individuale, por duhet kuptuar mekanizmi për ta zhbërë këtë mekanizëm që në të ardhëm t’i parandalojmë këto raste, përndryshe do të mblidhemi pas 4 vitesh për të folur për raste të tjera. Ne rekomandojmë që Kuvendi të forcojnë procedurat për forcimin e ligjit. Qeveria duhet të forcojë integritetin e disa proceseve. Sigurisht edhe institucionet e drejtësisë së re.