“War Dogs”/ Shkëlzen Berisha kërkon në SHBA rihapje të çështjes së padisë ndaj autorit të librit, Guy Lawson
Një avokat për djalin e ish-presidentit shqiptar, i ka kërkuar një trupe gjykuese prej 11 anëtarësh rihapjen e padisë së çështjes së 2015 për librin ”War Dogs” aty ku flitet për shitje armësh nga Shkëlzen Berisha.
Bëhet fjalë për librin e Guy Lawson teksa avokati i Shkëlzen Berishës, Jason Zoladz pretendon se ato çfarë janë shkruar në librin ”War Dogs” janë të pavërteta dhe trillime ku kërkohet dhe dëmshpërblim për djalin e Berishës si dhe tërheqje të atyre çfarë janë shkruar për të
“Lauzën falsifikoi provat e përfshirjes së Shkëlzen Berishës me kompaninë kontraktore të mbrojtjes AEY Inc., duke shtrembëruar provat e pretendimeve të tij. Ai i kërkoi një kolegu, nëse mund të gënjente për provat e përfshirjes së Berishës, dhe shpiku detaje mbi korrupsionin e zhvilluar mes Shkëlzen Berishës dhe disa zyrtarëve qeveritarë në SHBA, ku u përfshinë detaje imagjinare, duke përshkruar deri edhe ngjyrën e makinave që ata përdorën, si dhe targat e tyre”- tha Zoladz.
Libri që u botua nga shtëpia botuese “Simon & Schuster”, dhe ku u bazua edhe filmi i 2016-ës me të njëjtin emër, me protagonistë aktorët Xhona Hill dhe Majls Teller, tregon historinë e Efraim Diverolit, Dejvid Pakuz, dhe Aleksandër Podricki, banues në Florida dhe miq fëmijërie, të cilët u bënë tregtarë ndërkombëtarë të armëve.
Shkëlzen Berisha paditi në vitin 2017 Lauzën, Diverolin, Podrickin, Pakuz, “Simon & Schuster” dhe studion kinemetografike “Incarcerated Entertainment” në gjykatën federale të Floridas, duke kërkuar një dëmshpërblim prej 60 milionë dollarësh.
Ai kërkoi prej saj që të jepte një urdhër të prerë, që ta detyronte botuesin të hiqte nga libri shpifjet e bëra në drejtim të tij. Djali i Sali Berishës, pretendon se pasazhet në librin e Lauzën që e identifikojnë atë si një individ në epiqendër të dy skandaleve të mëdha të trafikut të armëve në Shqipëri janë trilluar.
Berisha u përfshi në një aferrë me kompaninë e Diverolit AEY Inc., një kontraktues në fushën e mbrojtjes që u përpoq t’i shesë ushtrisë amerikane municione kineze të blera në Shqipëri, të cilat më pas do të përdoreshin në luftën e Afganistanit.
Zoladz argumentoi të enjten se një gjykatës “refuzoi në mënyrë të gabuar qasjen në provat jetike që vërtetojnë mashtrimin” në formën “e qindra komunikimeve të ruajtura në mënyrë të padrejtë mbi bazën e privilegjit të avokatit dhe klientit.”
Dokumentet konfidenciale, kishin të bënin me rishikimin e publikimit të librit të Lauzën nga shtëpia botuese “Simon & Schuster”. Gjykatësi ra dakord me botuesin, se komunikimet midis një avokati dhe Lauzën ishin konfidenciale, pasi ato ishin pjesë e një përpjekje për të siguruar që çdo çështje ligjore që ka lidhje me vërtetësinë e informacionit në libër, të ishte zgjidhur para botimit të librit.
Gjykatësja Marsia Kuk, vendosi në favor të paditësve në vitin 2018, duke konstatuar se Shkëlzen Berisha kualifikohet sipas ligjit si një figurë publike. Sipas vendimit të Kuk, një sondazh zbuloi se Berisha njihet nga 100 për qind e qytetarëve shqiptarëve për shkak të mbiemrit të tij.
“Është e qartë se paditësi është një personazh publik në Shqipëri. Afërsia e tij me pushtetin, qasja e tij në media, dhe prania e tij në qendër të skandaleve të shumta të korrupsionit, gjithçka e kompleton këtë konstatim”, – shkroi Kuk në vendimin e saj.
Duke folur në mbrojtje të Lauzën dhe “Simon & Schuster”, Elizabet Meknamara dhe Davis Rajt Trimein i kërkuan trupit gjykues që të mbështesnin kërkeën e Kuk për rrëzimin e çështjes. “Bazuar në raportin e padiskutueshëm dhe bindës përpara saj, gjykata nuk gjeti prova se ndonjë nga të pandehurit ka dhënë deklarata kontradiktore apo të falsifikuara, apo që mund të ngrinin dyshime serioze mbi saktësinë e tyre – deklaroi Meknamara.
Burimi: Balkanweb – Courthouse News Service