Wizz Air sjell avionin e 6-të në Rinas
Wizz Air, linja ajrore me rritjen më të shpejtë në Europë, njoftoi vendosjen e avionit të 6-të në bazën e saj në Tiranë. Avioni i ri do t’i bashkohet flotës së Wizz Air me bazë në Tirana International Airport (TIA), duke mundësuar fillimin e fluturimeve direkte nga Tirana drejt Liverpulit (Mbretëria e Bashkuar), Madridit (Spanjë), Billundit (Danimarkë) dhe Oslo Sandefjord Torp (Norvegji), si edhe shtimin e frekuencave të destinacioneve ekzistuese të linjës ajrore: Ankona, Verona, Luton, Bruksel, Paris, Berlin, Hamburg, Memingem.
Shefqet Kastrati, President i Kastrati Group, thotë se ”Vendosja e avionit të 6-të të Wizz Air është një partner strategjik i joni duke i ofruar qytetarëve çmime më të lira në 29 destinacione aktualisht dhe deri në fund të vitit do shkojë në 34. Gjej rastin të falenderoj të gjithë stafin, punuan gjashtë muaj dhe i kthyer e rikthyen të gjitha linjat dhe shumë linja të tjera me tarifa më të ulëta seç janë. Çdo ditë po na ofrohen kompani më të mirat në botë që duan të lidhin kontrata me ne që do fillojë me riparimin e pistës, me shtimin e parkingjeve, me shtimin e terminalit që do jetë saç është terminali. Aeroporti ndihmon ekonominë, biznesin, turizmin, i ndihmon të gjitha”.
Flota e Wizz Air me 6 avionë dhe me 4 destinacione shtesë duke filluar nga muaji dhjetor 2021 do të vazhdojë të operojë me tarifa të ulëta që lidhin Shqipërinë me pjesën tjetër të Europës. Wizz Air e lidh tashmë Tiranën me 34 destinacione të Europës.